Basha: Kthimi në normalitet, kalon nga dhomat e burgut

21:45 | 18/06/2019

“Kthimi në normalitet politik kalon nga dhomat e burgut për politikanët”, kështu u shpreh Basha në një deklaratë për media, ku tha se shtyrja e vendimit për negociata në Tetor, është korrupsioni dhe krimi i Edi Ramës.

“Shumë njerëz pyesin: po cila është zgjidhja? Përgjigja e vetme është: drejtësia. Ndëshkimi i të gjithë atyre që kanë bashkëpunuar në mënyrë kriminale për vjedhjen e votës. Vetëm kështu do të mbyllim kapitullin famëkeq të manipulimit të zgjedhjeve. Zgjidhja e vetme është: ndëshkim përmes drejtësisë. Kur miratuam reformën në drejtësi, ne e kishim seriozisht dhe ishim të bindur se një drejtësi e pastër dhe e pavarur është zgjidhja që na duhet, sepse thelbi i problemeve tona si shoqëri është pandëshkueshmëria, është fakti që politikanët, të pasurit dhe të fortit janë mbi ligjin, janë vetë ligji, kurse njerëzit e thjeshtë janë viktimat, që nuk i mbron as ligji dhe asgjë. Pandëshkueshmëria e politikanëve dhe e kriminelëve duhet të mbarojë dhe do të mbarojë tani. Fatkeqësisht, drejtësia po mungon në Shqipëri. Fatkeqësisht, ajo që prisnim nga reforma në drejtësi, është rrënuar nga kapja e drejtësisë nga Edi Rama. Por kjo nuk mund të zgjasë më, sepse nga kjo krizë nuk mund të dilet duke ruajtur pandëshkueshmërinë. Këtë herë kthimi në normalitetin politik, kalon nga dhomat e burgut për politikanët e lidhur me krimin dhe politikanët e korruptuar. Këto ditë po dëgjoj histori dhe propozime nga më të çuditshmet për daljen nga kriza. Po dëgjoj të riciklohen teori dhe sllogane që në Shqipëri kanë dështuar plot herë për të kuruar dhe parandaluar krizat, sepse ato kanë vënë pazarin mbi parimin, sepse ato kanë devijuar nga rruga e ligjit, nga rruga e drejtësisë. Shteti i së drejtës, barazia para ligjit, është e vetmja garanci për lirinë, demokracinë dhe mirëqeverisjen”, deklaroi Basha. 

Kreu i opozitës ndër të tjera shprehu vlerësimet më të larta për Evropën.

“Sot, Shqipërisë iu mohua për të tretën herë, nën qeverisjen Rama, hapja e negociatave për anëtarësim me BE. Edhe pse i pritshëm,është një lajm i hidhur për ne shqiptarët, që, edhe 30 vjet pas rënies së komunizmit, vazhdojmë të mbetemi vendi më i izoluar nga Evropa. Edhe më i rëndë është fakti se, më shumë se një refuzim i përkohshëm i negociatave, sot, ne shqiptarëve, po na vihet në dyshim aftësia për të përqafuar dhe jetuar sipas standardeve dhe vlerave evropiane. Propaganda e Edi Ramës dhe mercenarëve të tij, do të përpiqet ta mohojë refuzimin. Pasi do të dështojnë ta mohojnë, do të përpiqen t’ia veshin fajin të tjerëve. Edi Rama do të fajësojë Evropën se ka probleme të vetat. Do të fajësojë opozitën që nuk rri urtë para keqqeverisjes së tij. Do të fajësojë gjysmën e botës. Do të fajësojë edhe popullin e vet. Nuk do të fajësojë vetëm një njeri: Edi Ramën. Mos u gënjeni nga propaganda e tij. Ka vetëm një përgjegjës për refuzimin e vazhdueshëm ndaj Shqipërisë: Është qeveria dhe Edi Rama. Ka vetëm një arsye pse na janë mbyllur dyert e Evropës: korrupsioni dhe krimi. Negociatat sot do të ishin hapur, nëse Shqipëria nuk do të kishte qeverinë më të korruptuar në Europë, nëse Shqipëria nuk do të ishte zonë e lirë e drogës dhe e krimit”, tha Basha.

Më tej Basha gjatë fjalës së tij është shprehur se “Evropa në këto tre dekada është sjellë si nënë e dashur me shqiptarët”.

 “Mos dëgjoni helmin anti-europian që përhap Edi Rama duke ju thënë se Evropianët janë racistë, se evropianët nuk na duan. Evropa në këto tre dekada është sjellë si nënë e dashur me shqiptarët. Ajo na ka mbajtur me bukë kur na kërcënonte uria në vitet 90-të, ajo na dha asistencë dhe dije, kur sapo dilnim nga errësira e komunizmit, ajo na dhuroi miliarda, që të ndërtonim spitale, shkolla e rrugë. Evropa na hoqi vizat, që të ishim të lirë në gjirin e saj. Evropianët na hapën dyert në çdo qytet e fshat, kur migruam drejt tyre. Evropianët nuk janë kundër Shqipërisë. Ata janë kundër krimit. Evropianët nuk kanë frikë nga shqiptarët. Ata kanë frikë nga droga. Evropianët nuk duan të mbajnë larg shqiptarë. Ata duan të mbajnë larg qeveritarët e korruptuar.  Sikur Shqipëria të mos ishte kanabizuar, sikur Shqipëria të mos ishte qendër e drogës, sot do të ishim duke negociuar. Sikur Saimir Tahirët, Elvis Roshët, Vangjush Dakot, Damian Gjiknurët të ishin në burg dhe jo të lirë dhe në majat e politikës, ne do të ishim duke negociuar. Sikur drejtorët dhe burokratët t’u shërbenin njerëzve, në vend që të vidhnin vota për partinë, do të ishim duke negociuar. Sikur në vend të fasadave, të kishim ndërtuar porte dhe rrugë, do të ishim duke negociuar. Sikur në bregdet të ishin duke investuar kompanitë evropiane dhe jo oligarkët grabitqarë dhe kriminelët që pastrojnë paratë e drogës, do të ishim duke negociuar. Mbi të gjitha, sikur të kishim zgjedhje të lira, sot do ishim duke negociuar. Liria e popullit për të zgjedhur qeverinë që do, është burimi i lirive politike dhe demokracisë evropiane. Fatkeqësisht, Shqipëria sot është shumë larg këtij standardi themelor evropian” u shpreh Basha. /abcnews.al


Lini koment

E-maili nuk do te publikohet. Duhen plotesuar *


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F




Kontakt

Telefono