Basha: Idenë që Rama është Skënderbe i këtij vendi nuk e pranoj dot

21:18 | 04/12/2018

I ftuari i dytë në emisionin “Provokacija” të gazetarit Mustafa Nano ishte regjisori Altin Basha. Një diskutim për prurjet e tij më të fundit në teatër dhe për situatën politike ne vend.

Fillimisht u diskutua për shfaqjen më të fundit të sjellë nga Basha, “Gomari i Baba Tasit” i autorit Gjergj Fishta. Ai tregoi për ndërhyrjet që kishtë bërë në vepër dhe se si e kishte pritur publiku të gjithë këtë risi në teatër.

“Mungesa e gegnishtes i shkakton shqipes së sotme një dëm goxha të konsiderueshëm. Duke punuar me veprat e Fishtës, sepse kjo është e dyta vepër që unë bëj, mund të konstatoj shumë humbje në frazeologji, fjalor, mënyrën e të shprehurit, format e shkurtuara. Ka shumë elementë që nga gegnishtja në shqipen standarde mendoj që humbasin.”

Basha diskutoi dhe reagimet e tij të forta në intervistën e fundit në një emision ku ishte i ftuar për të folur për humorin politik.

“Kohët e fundit ka filluar të më shqetësojë shumë propaganda jashtëzakonisht intensive që qeveria bën për një numër gjërash. Zakonisht, në mandatin e dytë qeverisës kemi atë sindromën e rrëzimit të kualitetit të qeverisjes dhe kur rrëzohen veprat mbetet pastaj propaganda. Në mandatin e parë ka dhe vepra ka dhe propagandë, në mandatin e dytë rrëzohen veprat dhe mbetët propaganda. Kjo është bërë e neveritshme. Kur kjo propagandë kalon dhe kufijtë e Shqipërisë, sigurisht që nuk më duket me vend. Aq më tepër pse, kam një interes shumë të veçantë me Kosovën, gjysma e familjes sime vjen prej andej.”

Basha rrëfeu dhe pasojat që Shqipëria do të kishte pas një bashikim të mundshëm me Kosovën. Sipas tij duhet që fillimisht të zgjidhim problemet tona dhe me pas të bashkohemi.

“A ka Shqipëria probleme me drogën? Ka. A ka Shqipëria probleme me pronat? Ka. A ka Shqipëria probleme me rrugët? Ka. Të gjitha këto janë probleme të cilat, së pari duhet ti zgjidhim brenda nesh që të mos i eksportojmë kur të bashkohemi. E njëjta gjë është edhe me Kosovën. Në këtë kuptim sa më shumë të rritemi, sa më shumë të përparojmë në këto drejtime dhe sigurisht sa më shumë ti japim njëri-tjetrit elementët pozitivë të zhvillimit aq më e kollajtë do të jetë kjo gjë. Por nëse ne do të përfundojmë në një shtet federativ, sepse unë jam për një federatë me thënë të drejtën, nëse ne do të përfundojmë në një shtet të bashkuar ku korrupsioni është dhe më i madh atëhere nuk kemi asnjë leverdi. Ne jemi dy shtete me probleme shumë të mëdhaja, duhet të përballojmë problemet tona në mënyrë urgjente, prandaj e shoh propagandë. Ne nuk mund të jemi lokomotivë për Kosovën, sepse nuk kemi çfarë ti ofrojmë në kuptimin zhvillues.”

Regjisori i njohur tregoi për disa nga problemet kryesore te qeveresisjes së sotme, sipas tij, duke krahasuar dhe me qeverisjen e kaluar. Ai u shpreh se dorëheqja e ish zëvendës ministrit të arsimit është traumatike për sistemin arsimor në Shqipëri.

“Dorëheqja e atij djalit është traumatike. Duhet të shqetësohet e gjithë qeverisja. Për çfarë arsye ai djalë nuk pa të mundur që të bënte punën për të cilën u thirr? Ky refleksion duhet bërë. Nëse kemi probleme në arsim, janë 6 vjet taksa të paguara nga shqiptarët. Janë premtime të bëra nga qeveria. Nëse ka probleme aty duhet qëndruar, duhen përballuar gjërat. Nuk mund të përballohen problemet duke hapur diskutime të tipit bashkohemi apo nuk bashkohemi. Siç ishte koha kur Berisha thonte do prish piramidën dhe do ndërtoj parlamentin e ri shqiptar. U angazhuam të gjithë në atë debat, ndërkohë qeverisja ishte katastrofike në atë kohë. Ky përdorimi i shashkave është e mira të denoncohet nga ata që ia vlen të denoncohet. Unë mund ta pranoj që Rama mund të ketë pasur dëshirën për të bërë shtet, por që Rama është Skënderbe i këtij vendi unë nuk e pranoj dot.”

Basha tha për Provokacijan se do ta vazhdojë ta shtjellojë nervin e tij politik dhe se si tashmë nuk është e mjaftueshme për të vetëm që të bëhet humor me politikën.

“Ajo pjesa që ne bëjmë humor, me sa duket nuk po më mjafton më. Sepse e shoh se për ta jemi ndoshta argëtues jemi edhe interesantë edhe kur bëjmë humor për ta. Ndoshta edhe i shohin videot tona, por praktikisht duhet të mësojnë se humori është serioz dhe gjërat që i themi, nuk i themi vetëm për gallatë por sepse janë gjëra që na shqetësojnë. Unë do jetoj në këtë vend sa të kem frymë edhe jetë dhe nuk dëshiroj që atë që përjetova unë në këto 25 vjet me shpresën që Shqipëria do të bëhet si Europa ta përjetojnë edhe fëmijët e mi. Këtë sens jam goxha i ndjeshëm.”/abcnews.al




Lini koment

E-maili nuk do te publikohet. Duhen plotesuar *


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F




Kontakt

Telefono