Balla i kërkon Bashës të përballen në gjykatë


21:24 | 05/07/2018

Akuzat e ndërsjella midis kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha dhe kreut të grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, kanë vazhduar edhe në seancën plenare të së enjtes. Deputeti socialist e ka njoftuar se të martën e pret në gjykatë, ndërsa kreu demokrat e ka paralajmëruar se shumë shpejt një tjetër aferë korruptive do të zbulohet, ku i përfshirë pretendon se është edhe Taulant Balla.

E ka fjalën për kryetarin e grupit socialist Taulant Balla.

Por fjalimin e përgatitur nuk e kishte dedikuar për deputetin Balla kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha. Ai kërkoi t’i tregonte shqiptarëve se në 10 muaj u provua se pushteti i Edi Ramës është degraduar, kalbëzuar dhe ka falimentuar plotësisht.

“Në 10 muaj Shqipëria ka prodhuar kronika të krimit politik më shumë se e gjithë Evropa në 10 vjet”, tha Basha.

Edhe mos hapja e negociatave ishte rezultat i zgjedhjes së vetëdijshme të Edi Ramës për të mbrojtur Saimir Tahirin, Fatmir Xhafajn, Gjiknurin, Dakon, Habilajt, Balilët dhe të gjithë kokat e krimit dhe politikanët e korruptuar dhe të lidhur me krimin deklaroi Lulzim Basha, sipas të cilit, këta janë peshqit e mëdhenj që kërkojnë ambasadorët.

“Oqean? Mos gënjeni veten tuaj zotërinj ambasadorë, se shqiptarët nuk gënjehen më! Peshqit e mëdhenj janë në krahun tuaj në çdo pritje zyrtare dhe në podiumin e qeverisë këtu në parlament”, tha Basha.

Përgjigjen ia jep numri dy i Partisë Socialiste, i cili i kujton se nga vjen e kush e strehoi dhe promovoi politikisht peshkun Balili.

I rikujton edhe personazhe të tjerë të lidhur me botën e krimit dhe trafiqeve që Taulant Balla thotë se përgjigjen e Lulzim Bashës e pret në gjykatë.

I sigurtë duket socialisti Balla për vendimin e gjykatës në favor të tij dhe këtë e shpreh me tonet këmbëngulëse nga foltorja e parlamentit.

“Çoje kokën! Të martën të pres në gjykatë dhe mos merr raporte si për Rrugën e Kombit apo të ikësh në Holandë”.

Të njëtën kërkesë ia përsërit, ndërsa shkembehen në korridorin që i ndan, por kryedemokrati vendos t’i përgjigjet publikisht akuzës.

“Derrkuci i Yaris-it harron diçka. Më akuzon mua se kam dalë me vëllain e personave që u dyshonkan se janë pas parave të Toyota-s. E para punës, n.q.s ai qenka i dyshuar pse nuk e keni arrestuar deri më sot. E dyta, po ju keni vëllain e dënuar të ministrit të Brendshëm. Hanit, pinit nga mëngjesi deri në darkë me të. Çfarë standardi keni ju”?

Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj, reagon pa mikrofon ndaj akuzave. Në fund zgjedh vetëm të dëgjojë vazhdimin e fjalës së kryetarit të Partisë Demokratike që në të vërtetë është një tjetër paralajmërim.

“Derrkuci i Toyota Yaris-it, garanti i parave të pista të drogës dhe disa të tjerë që nuk janë këtu, jeni të përgjuar nga shërbimet e huaja, duke folur me Bacën në Selanik. Ah sa keq! Se shërbimet tona flenë gjumë. Jeni përgjuar duke dhënë garanci. Jua kanë vënë kryqin nga Uashingtoni në Bruksel, nga Belgjika në Romë. Së shpejti kryqin do t’ua venë shqiptarët”.

Kaq detaje dha Lulzim Basha për përgjimin e radhës, duke lënë të hapur se koha do ta vërtetojë vërtetësinë e deklaratës së tij./abcnews.al


Lini koment

E-maili nuk do te publikohet. Duhen plotesuar *


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore.


Kontakt

Telefono