“Babalja”, debate të ashpra në gjykatë

20:31 | 04/09/201920:310

Në Gjykatën Penale u bë me debate të forta, përballja e dëshmitarëve të akuzës me Fredi Alizotin, për Çështjen “Babalja”. Dëshmi kanë dhënë sekretari i përgjithshëm i PD-së Gazment Bardhi, prokurori Besim Hajdarmataj dhe gazetari Ylli Rakipi.

Gjykata penale zhvilloi seance për atë që njihet si çështja “Babale”, me të pandehur për moskallëzim krimi ish-deputetin e Partisë Demokratike Ervin Salianji dhe gazetarin investigativ Jetmir Olldashi.

I pandehur është edhe Albert Veliu, person në arrati, i njohur si “Babalja”, si dhe miku i tij Fredi Alizoti, personi që dyshohet se ka imituar zërin e Agron Xhafajt në audiopërgjimin e publikuar në PD-ja.

Gjatë seancës në gjykatë pati debate të ashpra midis 3 dëshmitarëve të organit të akuzës, Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë Demokratike Gazmend Bardhi, Prokurorit të Krimeve të Rënda Besim Hajdarmataj, gazetarit Ylli Rakipi me avokatët e të pandehurve dhe prokurorët Genc Qano dhe Kol Hysenaj.

Gjatë dhënies së deklarimeve Gazment Bardhi është përplasur më të pandehurin Alizoti, pasi teksa Sekretari i Përgjithshëm i PD-së deklaronte se nuk e njihte, Alizoti pretendonte se kishin konsumuar edhe kafe bashkë.

Në seancë Gazment Bardhi ka debatuar me avokatin Agron Geron Xhafajt, Ardian Vishën.

Ardian Visha, avokati i Geron Xhafaj: Për herë të parë më materialin u njohët kur e publikuat, apo më parë?

Bardhi: Me materialin audio jam njohur para se të bënim denoncimit.

Ardian Visha: Mjetet teknike janë ato të shfaqura në ekran, apo  të tjera?

Bardhi: E kemi marrë në një USB dhe e kemi shfaqur në një ekran. Të njëjtën ia kemi dhënë prokurorisë.

Avokati: Thatë që keni investiguar për të shkuarën e Xhafajt?

Bardhi: Vendimi ka marrë formë të prerë në 2012-n. Geron Xhafaj ishte dënuar për trafik narkotikësh bashkë me një grup kriminal. Kjo tregon për rrezikshmërinë e lartë të tij. Në 2013-n si kreu i komisionit të ligjeve erdhi vëlla i tij erdhi vëllai i tij.

Gjatë dhënies së deklarimeve, gazetari Ylli Rakipi ka deklaruar se gazetari investigativ Jetmir Olladashi e kishte vënë në dijeni dhe i kishte kërkuar mbështetje për të investiguar një rast trafikimi të lëndëve narkotike.

“Gazetarët investigativë kanë mjetet e veta, stilolapsa, ore. Jetmiri i kishte. Unë i kam dhënë 5 mijë lekë të reja vetëm për karburant. Olldashi shkoi. Kur u kthye më tha që kam një material audio. Më erdhi keq që nuk kishte video, sepse pretendohej një përfshirje e vëllait të Ministrit të Drejtësisë”.

Dëshmitari i tretë në këtë seancë ishte prokurori i Krimeve të Rënda Besim Hajdarmataj, të cilit iu rrëzua kërkesa që dëshminë ta bënte pa praninë e medias. Hajdarmataj ka shpjeguar pozicionin e tij si prokuror në këtë çështje dhe veprimet që ka kryer.

“Albert Veliun e kam takuar në Nëntor 17. Recepsioni më komunikoi se ishte dikush që kërkonte takim me mua, pasi do më tregonte diçka të rëndësishme. E prita në zyrë. Më ka prezantuar një fakt. Kishte dijeni se disa persona po përgatiteshin të bënin një trafik droge. Sipas tij, mes tyre kishte policë dhe vëllai i Ministrit të Brendshëm të asaj kohe. E pyeta për personalitetin e tij. Më tha që ishte i dënuar për trafik droge jashtë Shqipërisë. Ai më tha që personat që do bënin trafikimin ishin njohje të vjetra të tij. Meqë bëhej fjalë për policë të përfshirë në trafik dhe vëllain e ministrit lashë takim me një prej drejtuesve të SHISH dhe u kërkova që ta merrnin si rast, për ta përdorur dhe si informator, sipas procedurës së tyre, për ta hetuar nëse ka të dhëna reale për rast trafikimi. Në vijimësi kam kontaktuar me një prej drejtuesve të SHISH. Më ka thënë që nuk kishte diçka konkrete, por se po mblidhnin të dhëna dhe prova. Dua të sqaroj që përfshiva SHISH-in për shkak se personi më tha që në rrjet kishte punonjës policie, si edhe vëllai i Ministrit të Brendshëm të asaj kohe. SHISH ishte institucioni i vetëm që gjatë 2016-2017 na kishte informuar për rastet e trafikut të kanabisit ku ishin të përfshirë dhe punonjës policie”, tha ai.

Gjykata e Tiranës vendosi që të pezullonte për momentin marrjen e dëshmisë së Agron Geron Xhafajt, që po vuan një dënim për trafik ndërkombëtar droge në Itali. Prokurori lexoi deklarimet që Agron Xhafaj i kishte dhënë grupit hetimor, para se të nisej drejt Italisë.

“Paraditen 4.5.18 tre deputetët e PD kanë bërë një denoncim me të dhëna të rreme për të goditur vëllain tim. Dua të sqaroj që është e vërtetë që unë përdor numri me …472. Aty më telefonojnë të gjithë, ata që më duan dhe të kundërtën. Në bisedën e publikuar dyshoj se është Robert Veliu. Ai disa herë më kërkonte para se luante bixhoz. Unë nuk e kam takuar atë njeri. Sa herë më merrte për lekë e kam refuzuar dhe në fund i kam bërë bllok. Nuk është i vërtetë fakti që unë të kem lënë takim me të. Në lidhje me bisedën e pretenduar në lokalin tim, aty nuk jam unë. Ajo nuk është e folura ime, për më tepër që unë kam probleme në shqiptimin e disa shkronjave. Është tërësisht e manipuluar. Nuk njoh askënd me emrin Ermal, veç një kushëririt tim. Po ashtu, nuk njoh asnjë person me nofkën Toto Qorri”.

Në seancën e radhës, në 11 Shtator në orën 12:30, do dëgjohen audiopërgjimet e publikuara nga Partia Demokratike, për këtë çështje./ABC News Albania 24/7


Për t’u bërë pjesë e grupit klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI ABC NEWS ALBANIA: https://www.facebook.com/groups/AbcNewsAlbaniaGroup

Të lidhura

Lini koment

E-maili nuk do te publikohet. Duhen plotesuar *


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F




Kontakt

Telefono