R D

4fd7a594-cfe7-43be-9100-b8191876a078.jpg
R D16:22 | 23/01/2020

Ish-deputetja demokrate Dhurata Çupi publikon sot një dokument të firmosur nga Aldrin Dalipi ku shihet se emrin e rrugës “Leonard Frroku” në Unazë të Re e ka vendosur këshilli bashkiak i Tiranës në vitin 2014. Historia e emrit të kësaj rruge është e vjeter dhe palët kanë tentuar t’ia kalojnë njëra tjetrës për shkak se Leonard Frroku është vëllai i Arben dhe Mark Frrokut.

Deklarata e Çupit:

Mashtrimet e Erion Veliajt janë të trasha dhe qesharake. Për të bërë pis kryetarin e PD me trafikantë droge, tutorë prostitutash dhe vrasës, siç është mësuar me kryetarin e tij, Erion Veliaj shpiku sot një sajesë sikur Basha i paska vënë emrin e një krimineli një rruge në Tiranë.

Aspak e vërtetë! Mashtrim banal, por djallëzor! Vëllanë e Mark dhe Arben Frrokut e nderoi Partia Socialiste e Edi Ramës dhe Erion Veliajt, pasi erdhën në pushtet.

Vendimi i Këshillit Bashkiak në foto tregon se ishte PS ajo që e propozoi dhe e miratoi emrin e rrugës, siç ka bërë, sa herë ka patur pushtet, duke vendosur emra kriminelësh që kanë vrarë dhe torturuar me mijëra shqiptarë gjatë regjimit diktatorial.

Erion Veliaj mund të përpiqet me mashtrime banale të bëjë të duken njësoj Lulzim Basha me Edi Ramën për të përfituar vetë, por e bardha me të zezën janë të pangatërrueshme!

Ne nuk jemi të gjithë njësoj!

47c36bca-f896-45df-a0fb-6bd42188add2.jpg
R D15:49 | 23/01/2020

Ministrat dhe deputetët socialistë duket se kanë ndjekur rrugën e shefit të tyre, Edi Rama, duke mos komentuar videon e Lefter Allës që merr “të bardhë”. Gazetarja Esiona Konomi, gjithsesi arriti të na sjellë disa opinione dhe reagime në Kryesinë e Kuvendit, ku vihet re sikleti që shfaq nga pyetja Etilda Gjonaj e Mimi Kodheli; Majko e kalon me të qeshur, ndërsa batuta të forta kanë lëshuar Ilir Beqaj i cili largohet me vrap dhe më pas kthehet duke thënë “jam i gjatë, s’më kap kamera”.

Akoma më të fortë e ka batutën socialisti Bujar Çela i cili thotë se “jam nga Lushnja, s’di gjë”.

Por nuk mungon as reagimi i Ulsi Manjës, i cili shprehet se “çdo lloj përgjegjësie është indivuale, PS është e qartë që ditën që ka votuar ligjin e dekriminalizimit se nuk mbron askënd”. Ndërsa deputetja e zonës së Dibrës, Almira Xhembulla përpiqet ta mbrojë Allën, duke thënë se ” këto historitë e videove e kanë marrë përgjigjen në gjykatë”. Edhe Rreme Lala e Dibres kërkon ta kalojë “no coment”. Po kështu do keni mundësi të dëgjoni edhe reagimet e deputetëve të opozitës së re, Andi Permeti, Korab Lita, Arben Elezi, Majlinda Halilaj.
Në fund deputetët e majtë e të djathtë janë pyetur për testin e drogës, duke u deklaruar pro ndryshimeve ligjore.

Pyetje: A duhet shkarkuar kryetari i Bashkisë Bulqizë që merr drogë?

Dëgjoni përgjigjet e deputetëve në videon më poshtë:

bardhi.jpg
R D15:05 | 23/01/2020

Numri II i PD-së, Gazment Bardhi reagoi pasi Lefter Alla tha se do të padisë Ervin Salianjin për videon e publikuar në Abc News, ku ai shihet duke marrë kokainë. 

Reagimi i plotë i Bardhit:

Është qesharak dhe hilacak reagimi Lefter Allës për të paditur Partinë Demokratike pse media publikoi videon, ku ai provohet si përdorues i kokainës. Haluçinacionet nga përdorimi i kokainës apo mbrojtja nga shkarkimi prej Edi Ramës nuk e ndihmojnë dot.

Edi Rama ka detyrimin ligjor dhe përgjegjësinë politike ta shkarkojë menjëherë nga detyra Mr. Kokainën e Bulqizës. Edi Rama e di se një përdorues kokaine ka njohje dhe lidhje me grupet kriminale të shpërndarjes së saj.

Heshtja dhe mosveprimi i Edi Ramës është një tjetër dëshmi që përzgjedhja e Lefter Allës është bërë për shkak të cilësisë së tij si përdorues kokaine dhe lidhjeve të tij me grupet kriminale të shpërndarjes dhe shitjes së kokainës.

Fshehja pas përgjegjësisë individuale të Lefter Allës, Valdrin Pjetrit, Agim Kajmakut, Mark Babanit, Qerim Ismailajt apo Agron Malajt, është pjesë e strategjisë së Edi Ramës për të vazhduar bashkëqeverisjen me krimin. Këta i ka përzgjedhur dhe emëruar Edi Rama. Ky është modeli dhe ekipi qeverisës që Edi Rama i ofron shqiptarëve! Pa largimin e Edi Ramës nuk mund të ketë ndarje të politikës nga krimi! /abcnews.al

lefteralla.jpg
R D14:42 | 23/01/2020

Kryetari i Bashkisë së Bulqizës, socialisti Lefter Alla njoftoi përmes një postimi në facebook se ka marrë rrugën për në Tiranë, ku do të padisë Ervin Salianjin. Sipas tij “autori” i videos, ku shfaqet duke thithur kokainë është Salianji. Në fakt, video është publikuar nga gazetari i Abc News, Artan Hoxha, i cili ka shpjeguar qartësisht dhe publikisht se nuk është një material i servirur nga PD.

Por, burimet e Abc News thanë se z. Alla është thirrur për të dëshmuar nga prokurorët e SPAK-ut, të cilët kanë regjistruar procedim penal pas publikimit të pamjeve filmike, ku Alla duket se thith kokainë në lokal. Ndaj kjo besohet se është arsyeja e vertete e mbërritjes së Lefter Allës me urgjence në Tirane një ditë pas video-skandalit.

Po kështu në SPAK për të dhënë deshmi ka shkuar edhe gazetari Hoxha.

Lexo edhe:SPAK thërret Artan Hoxhën pas videos së Lefter Allës
VIDEO/ SPAK nis hetimin, sa vite burg rrezikon Lefter Alla

pk.jpg
R D13:41 | 23/01/2020

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ka thirrur për të dëshmuar gazetarin investigativ Artan Hoxha, një ditë pas publikimit të video-skandalit të kryebashkiakut të Bulqizës, Lefter Alla.

Alla shfaqej në video duke thithur kokainë me hundë teksa ndodhej në një lokal privat. Hoxha, teksa publikoi këto pamje në ekranin e Abc News tha se është kërcenuar, por ai ka vendosur të mos terhiqet.  Artan Hoxha do të jetë sot në 14:30 para prokurorëve të SPAK-ut.

Siç kemi informuar më herët, Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion ka nisur tashmë hetimin për kryebashkiakun e Bulqizës Lefter Alla pas publikimit të videos nga gazetari Artan Hoxha në Abc News. Hetimi ka nisur në kuadër të nenit 283 i Kodit Penal për “Prodhim të shitje të lëndëve narkotike”. /abcnews.al

Lexo edhe:
VIDEO/ SPAK nis hetimin, sa vite burg rrezikon Lefter Alla

Screenshot_14.png
R D12:52 | 23/01/2020

Komisioni i Ligjeve ka miratuar në mbledhjen e sotme projektligjin për amnistinë, i cili pritet t’i kalojë Kuvendit. Nga amnistia do të përfitojnë rreth 700 të dënuar që lënë qelitë menjëherë sapo ligji të botohet në Fletoren Zyrtare.

Draftit të hartuar nga Ministria e Drejtësisë, iu bënë disa ndryshime në komisionin parlamentar. Kësisoj u vendos nga që amnistia të përfshijë të gjithë kategoritë që janë dënuar deri më datë 31 dhjetor të 2019-ës. Fillimisht Ulsi Manja kërkoi që efektet e amnistisë të shtyheshin deri në momentin që hyn në fuqi, por Gjonaj u shpreh se nëse miratohej në këtë formë kush ka bërë krim dorëzohet dhe përfiton nga amnistia.

Më tej ministrja e Drejtësisë tha në burgjet shqiptare janë 54 gra nga të cilat 22 do të përfitojnë lirinë nga amnistia, ndërsa 28 të tjera ulje të dënimit me 1/3. Sakaq, 4 prej tyre nuk janë përfshirë si pjesë përfituese nga amnistia. Ndërkohë që nga amnistia do të përfitojnë edhe 4 të mitur ku njëri prej tyre do të lirohet ndërsa 3 të tjerët do të përfitojnë uljen e dënimit.

Pr/ligjit të aministisë iu bënë edhe dy ndryshime të tjera të rëndësishme: Të dënuarit për ndërtim pa leje në tokën e tyre do të lirohen. Ndërsa me një nen të posaçëm do të ndalohen të dalin nga burgu të gjithë ata që janë dënuar për vepren penale të vjedhjes edhe pse mund të jenë në muajt e fundit të vuajtjes së dënimit.

Debati

Teksa po zhvillohej seanca dëgjimore me ministren  Etilda Gjonaj, në Komisionin e Ligjeve ka pasur edhe debate të forta që pasuan largimin nga mbledhja të deputetit Adratik Alimadhi, i cili u ndje i fyer nga kolegët e mazhorancës.

Alimadhi: Qeshni kur unë flas, më thoni nëse nuk më doni në komision dhe largohem. Nuk ofendoj asnjë, mos qeshni të paktën kur flas. E bëtë një opozitë që të ikte, po largohem edhe unë. Mos flisni në këtë gjuhë të pakulturë. Nëse nuk jam për këtu unë të largohem . Si diktaturë. Nuk qeshet kështu. Ku jemi këtu. Nëse unë se kam vendin këtu më çoni ku ka qenë para viteve ’90.

Pas kësaj Alimadhi u largua nga mbledhja.  /abcnews.al

juristi.png
R D11:50 | 23/01/2020

Juristi i njohur Ferdinand Doja i ftuar sot në studio me Juli Xhokaxhi tha se video e publikuar në Abc News, ku shfaqet kryetari i Bashkisë së Bulqizës, Lefter Alla duke konsumuar kokainë është shumë e rëndë. Sipas tij, qeveria duhet ta kishte shkarkuar menjëherë Allën, ndërsa prokuroria të nisë hetimet për të zbuluar autorët që kanë kërcënuar gazetarin Artan Hoxha. Ndër të tjera, u shpreh se “disa kryetarë bashkish po veprojnë si rrugaçë, si kriminelë të sprovuar”.

Ferdinand Doja: Përdorimi i lëndëve narkotike nuk parashikohet si veper penale në Kodin Penal. Kjo është e dënueshme moralisht. Është një akt i paprecedent për një kryetar bashkie. Veper penale është kërcënimi që i është bërë gazetarit Artan Hoxha. Sot qeveria jonë duhet të kishte marrë masa për këtë kryetar bashkie. Nuk dua t’i jap ngjyra politike, por ai është qytetari i parë i atij qyteti. Çfarë morali jep ai tek të rinjtë, tek qytetarët e tij?! Një i zgjedhur nga qytetarët që konsumon lëndë narkotike në ambient publik duhet të ishte shkarkuar menjëherë.

Në Kodin Penal parashikohet dënimi për atë që përshtat ambientet e lokalit për të konsumuar lëndë narkotike, kurse vetë përdoruesi është i përjashtuar nga dënimi penal, por prapë këmbëngul se edhe pse nuk e kap ligji penal, ndaj tij duhet të kishte masë administrative. Nuk mundet ai të rrijë sot kryetar bashkie.

Ndërsa sa i përket kërcënimit të gazetarit, kjo është shumë e rëndë dhe duhet të nisin hetimet. Nëse Kryetari i Bashkisë ka kërcënuar gazetarin për të mos nxjerrë videon duhet të shkojë në burg.


Edhe pse ai mbase nuk e ka kërcënuar vete personalisht, dihet se kush është i përfshirë, dihet kush i ka çuar njerëzit për të kërcënuar gazetarin. Për këtë prokuroria dhe policia duhet të veprojnë menjëherë, pa humbur kohë.

Xhokaxhi: A duhet ta kishte marrë policia në pyetje Lefter Allën?

Doja: Policinë nuk e ndalon asgjë të bëjë hetime, këtë person mund ta thërrasë për të dhënë shpjegime se ku e ka marrë lëndën narkotike, për të vajtur tek shpërndarësi dhe tek grosisiti. Hetimi duhet të kishte filluar për këtë pjesë.

Xhokaxhi: A duhet të hetojë prokuroria, duke marrë indicie nga materiali i publikuar në media?

Doja: Jemi dëshmitarë se nga indiciet mediatike kanë filluar çështje penale dhe kanë çuar njerëz në burg. Kjo për mua është indicie për të regjistruar një çështje penale, qoftë edhe pa autor. Siç është bërë presion ndaj gazetarit mund të jetë bërë presion edhe ndaj personave të tjerë. Hetimet duhet të nisin menjëherë nga Prokuroria.

Xhokaxhi: Z. Alla ka mohuar çdo gjë, ka thënë se është video-montazh. Të gjithë kryebashkiakët e tjerë të kapur nga dekriminalizimi kështu kanë vepruar?

Doja:  Sepse kanë pritur të shohin se çfarë provash ka. Por mund të them se ky është rast tjetër nga ata të mëparshmit që janë shkarkuar për shkak se të Dekriminalizimit. Ky për mua është rasti më i rëndë: Një kryebashkiak që merr lëndë narkotike në publik! Sa i përket mashtrimit, nuk është veper penale, por rrethanë rënduese në një proces gjyqësor. Por duhet të dimë se drejtuesit vendorë kanë edhe përgjegjësi morale, jo vetem ligjore.

Juli Xhokaxhi: Agim Kajmaku i Vorës është arratisur, po kjo a është veper penale?

Doja: Nuk është veper penale arratia, është rrethanë rënduese. Një person që i fshihet drejtësisë nuk përbën vepër penale. Në rastin konkret po shohim se disa kryetar bashkish që po veprojnë si rrugaçë, si kriminelë të sprovuar. Ky duhet të jetë mësim edhe për politikën. Aty duhet të shkojnë njerëzit që e meritojnë.  /abcnews.al

Screenshot_10-1-1280x717.png
R D10:54 | 23/01/2020

Kryeministri i vendit Edi Rama po zhvillon një vizitë zyrtare në Itali. Përmes një ceremonie shtetërore, homologu italian Giuseppe Conte e priti Ramën përpara Palazzo Chigi të Romës. Rama ndodhet në Romë për të kërkuar mbështetjen e Italisë në funksion të Rindërtimit.

Më herët,ai u takua edhe me ministrin e Jashtëm italian Luigi Di Maio, e cili e pyet Ramën se si po ecën rikonstruksioni në vend pas termetit. Gjatë bashkëbisedimit, Rama i thotë se raporti i dëmeve do të jetë gati për disa ditë por deri tani fatura është llogaritur të jetë rreth 1 miliardë euro.

Di Maio nuk e fsheh habinë nga shifra e madhe që përmend Rama, por sakaq shprehet se ka besim tek Konferenca e Donatorëve të BE-së do ta ndihmojë Shqipërinë.

PJESA NGA BISEDA RAMA- DI MAIO

Di Maio: Si po shkon puna me rikonstruksionin në Shqipëri?

Rama: Për disa ditë do të kemi raportin e dëmeve nga tërmeti por finalisht fatura përllogaritet të jetë rreth 1 miliard dollarë.

Di Maio: 1 miliardë? Kam besim se në Konferencën e Donatorëve do të gjendet një zgjidhje. /abcnews.al

basha7.png
R D10:23 | 23/01/2020

Pas debateve të shumta në vend për paketën “Antishpifje”, Këshilli i Europës ka ndërmarrë një hap pozitiv për të dërguar ligjet për mendim në Komisionin e Venecias. Kjo pasi shoqatat e gazetarëve pretendojnë se këto dy ligje cënojnë lirinë e medias.

Lideri demokrat, Lulzim Basha përmes një reagimi në rrjetet sociale përshëndet vendimin e marrë nga Komiteti i Monitorimit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës për ta çuar paketën e ashtuquajtur “antishpifje” në Komisionin e Venecias.

“Ky akt provon se dy projekligjet e kësaj pakete cënojnë drejtpërdrejtë të drejtën e fjalës dhe drejtën e informimit duke dëmtuar rëndë lirinë e mediave në Shqipëri”, shprehet Basha.

“Nga ana tjetër është e turpshme dhe e ulët që Komisioni i Veprimtarisë Prodhuese i parlamentit kukull nën urdhrat e Ramës, ka rrëzuar dekretin e Presidentit pa reflektuar jo vetëm mbi verejtjet e tij, por edhe ato të komunitetit shqiptar të mediave dhe organizatave të ndryshme ndërkombëtare.

Pushteti aktual qendroi i shurdhër edhe ndaj qëndrimeve të Komisionit Europian që tregonin se mosreflektimi për këtë paketë dëmton procesin e integrimit europian.

Kjo indiferencë e kokëfortësi demonstron se Ramës nuk i intereson integrimi europian i vendit por vetëm mbijetesa e tij politike me çdo kusht, përfshirë këtu përpjekjen për t’ua mbyllur gojën mediave”, deklaron lideri demokrat. /abcnews.al

Lexo edhe:“Antishpifja” përfundon në Komisionin e Venecias, Balla: Asnjë hap pas 

*Statusi i Bashës

d048fd1e-4938-4b20-be27-441819304609.jpg
R D09:50 | 23/01/2020

Presidenti Ilir Meta gjatë vizitës në Izrael shkoi në bazën ushtarake të Ramlës, pjesë e Forcave izraelite të Mbrojtjes. I shoqëruar nga komandanti i bazës, Gjeneral-Major Tamir Yadai si dhe nga Koloneli Golan Vach, Presidenti Meta u takua me personelin ushtarak, një pjesë e të cilit dha kontribut të veçantë për tërmetin tragjik të 26 nëntorit.

Siç bën të ditur zyra e shtypit, Meta vlerësoi Njësinë izraelite të Shpëtimit Kombëtar me “Dekoratën e Artë të Shqiponjës” duke shprehur mirënjohjen shtetërore, por edhe në emër të qytetarëve shqiptarëpër ndihmesën e jashtëzakonshme dhe profesionalizmin e lartë gjatë operacioneve të kërkim-shpëtimit.

Presidenti Meta i dorëzoi “Dekoratën e Artë të Shqiponjës” Kolonelit Vach duke vënë në dukje se ky vlerësim iu shkon ushtarakëve izraelitë: “Për vullnetarizmin dhe gatishmërinë e menjëhershme, profesionalizmin e spikatur dhe sakrificat e pakursyera të treguara gjatë operacioneve të kërkimit dhe shpëtimit të viktimave, pas tërmetit të 26 nëntorit 2019.

Ajo ç’ka bie në sy në foto është se Presidenca është kujdesur t’i mbulojë fytyrën njërit prej ushtarakëve në foto. Arsyeja mbetet enigmë, edhe pse dyshimet janë se personi në foto mund të jetë pjesë e shërbimit sekret ushtarak. /abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono