us er

vlcsnap-error952-1280x720.jpg
us er16:11 | 14/01/2018

Mbi 800 të arrestuar dhe rreth 100 të plagosur është bilanci tragjik i protestave antiqeveritare në Tunizi. Për të shuar valën e demonstratave, qeveria aprovoi një sërë masash për të ndihmuar familjet në nevojë.

803 persona të arrestuar, 97 agjentë të policisë të plagosur, 87 makina të dëmtuara dhe disa kazerma policie të djegura. Ky është bilanci i javës së fundit të përleshjeve dhe trazirave në Tunizi mes manifestuesve të rinj kundër çmimeve të larta dhe forcave të rendit. Mes të arrestuarve janë edhe 16 ekstremistë islamikë.
Kjo është konfirmuar nga zëdhënësja e Ministrisë së Brendshme, Khalifa Chibani.

Gjithashtu është regjistruar dhe një i vdekur në fillim të javës në trazirat në Tebourba. 43-vjeçari, Khemaies Yeferni, u shpall i vdekur në spitalin Rabta në Tunis. Lidhur me rrethanat e vdekjes së tij është hapur dhe një hetim.

Sipas burimeve mjekësore, 43-vjeçari kishte mbërritur në gjendjen e asfikësisë në spital dhe me disa plagë në trup. Ministria e Brendshme e Tunizisë thekson se ai kishte mbërritur në dhomën e urgjencës në një gjendje asfiksie si pacient me astmë.

Ndërkohë, qeveria e unitetit kombëtar njoftoi një sërë masash në favor të familjeve në nevojë me një fond prej 23.5 milionë euro. Ky vendim erdhi për të shuar valën e protestave anti-qeveritare që vazhduan për më shumë se një javë./abcnews.al

Saudi-soccer-slide-8A9P-master768.jpg
us er16:07 | 14/01/2018

Një ngjarje e madhe ndodhi në Arabinë Saudite. Për herë të parë në historinë e Mbretërisë konservatore, femrat patën mundësi të ndiqnin ndeshje futbolli në stadium.

Ende jo barazi e plotë, por gjithsesi hap i rëndësishëm.
Gratë në Arabinë Saudite bënë realitet një dëshirë, duke shkelur për herë të parë në stadium për të parë një ndeshje.
Impianti i parë ku ndodhi risia ishte ai i qytetit Xheda, në përballjen mes ekipeve Al Ahli dhe Al Batini.
Mbretëria konservatore po bën kështu hapat e parë drejt përmirësimit të pozitave të grave, duke hequr dalë nga dalë rregullat për ndarjen e sekseve.

“Së pari, unë ndihem e lumtur për këtë rast të bukur, dhe përgëzoj gratë, vajzat dhe familjet që hynë në stadium. Së dyti, jemi të lumtura sepse jemi tifoze të ekipit Al Ahli dhe patëm mundësi ta mbështesnim në stadium”.

“Padyshim, jemi të lumtura. Kemi udhëtuar jashtë vendit për të ndjekur ndeshje, por tani situata është e ndryshme dhe ne jemi shumë të lumtura dhe të gëzuara”.

Ja edhe një burrë që gëzohet për femrat.

“Kjo ishte shumë e rëndësishme sepse gratë dhe vajzat janë të barabartë në shoqëri dhe kjo na lejon ne që të marrim pjesë në sport në një mënyrë normale, natyrale dhe të përditshme, si një familje. Kjo është një gjë shumë e mirë për shoqërinë, për lojtarët dhe për çdo gjë”.

Për momentin, disa ndarje mbeten.
Stadiumet saudite do të kenë tribuna të veçanta të quajtura familjare, por sidomos do të ketë vendparkime të veçanta për makinat e femrave, dhe po ashtu vendpushime të veçanta.
Natyrisht, ndryshimi nuk mund të vijë në një ditë, ndërsa parashikohet që të ketë edhe reforma të tjera, diçka e paimagjinueshme shumë vjet më parë./abcnews.al

vlcsnap-error532-1280x720.jpg
us er16:02 | 14/01/2018

Ministri i Financave, Arben Ahmetaj, apeloi nga Lezha që të gjithë punëkërkuesit aktivë të hyjnë në kualifikime falas. Arsimi professional, sipas minisitrit të Financave, është garanci për punësimin dhe rritjen e konkurrueshmërisë së ekonomisë.

Ministri i Financave, Arben Ahmetaj, i tregoi nxënësve të shkollës profesionale “Kolin Gjoka” në Lezhë se qeveria po ndërmerr një analizë të detajuar për të afruar nevojat e tregut me ofertën për punë.

“Ajo që unë dua të sjell në vemendje të shkollës, por në vëmendje të gjithë politikëbërësve, është fokusi i kurrikulumit tek ato industri që eksportojnë.
Viti 2017 ka qënë viti i parë kur në kontributin e ekonomisë, eksportet neto kishin kontribut pozitiv, për herë të parë. Po çfarë i bëri eksportet neto pozitive? Shërbimet, eksporti i shërbimeve, turizmi. Këtu duhet të jemi spektakolar, pasi shumë shpejt do të përballemi me sfidën se sa do arrijmë të mbajmë numrat e turizmit.
Në të njëjtën kohë, unë dua t’ju sjell në vëmendje që fundi i 2018, do ketë një moment shumë interesant në vend sa i takon ICT. Kompani serioze, përfshirë partnerë dhe joint vetures të Lufthansa, janë shtruar në tregun shqiptar dhe në fund të këtij viti punësojnë gati 300 punonjës dhe këtu besoj që kurrikulumi duhet të ketë një ngjyrë ICT, të rëndësishme, intensive dhe të shërbyer nga ne”

.
Kualifikimi i punonjësve, sipas ministrit të Financave, është një tjetër aspekt ku do të ndërhyet.

“Duhet të mendojmë më zgjuar për përputhjen me nevojat që ka tregu i punës me atë që afron arsimi profesional dhe me ato që janë në terrenin e punëkërkuesve aktiv. Një punëkërkues aktiv ka nevojë të kualifikohet për të qenë i punësueshëm. Unë jam duke përpunuar një Urdhër të Ministrit të Financave dhe Ekonomisë që do të detyrojë të gjithë punëkërkuesit të shkojnë falas në kualifikime”.

Ahmetaj gjithashtu premtoi kthimin e shkollës profesionale të Lezhës në një qendër multifunksionale model./abcnews.al

vlcsnap-error169-2-1280x719.jpg
us er15:40 | 14/01/2018

Një tërmet i fuqishëm me mganitudë 7.3 ballë i shkallës rihter ka goditur Perunë mëngjesin e së dielës. Lëkundjet sizmike janë lokalizuar 42 kilometra në jugperëndim të Acarit, në bregun jugor të vendit, në një thellësi prej 12 kilometrash. Lajmi është konfirmuar nga instituti gjeofizik amerikan. Mediat ndërkombëtare shkruajnë se nuk ka raportime për viktima apo dëme materiale. Fillimisht qendra paralajmëruese e cunamit në SHBA lëshoi një paralajmërim për rrezikun e një cunami. Por disa orë më vonë e tërhoqi atë dukë theksuar se rreziku ka kaluar./abcnews.al

vlcsnap-error630-1-1280x721.jpg
us er15:36 | 14/01/2018

Mediat amerikane njoftojnë se një shqiptaro-amerikan është drejtues i lartë i ISIS. Emri i tij është Zulfi Hoxha dhe është shfaqur në disa video propagande të organizatës terroriste si “Abu Hamza al-Amriki”.

Media amerikane, “The Atlantic”, i ka kushtuar një shkrim të gjatë një Shqiptaro-amerikani, i cili u bën thirrje myslimanëve në SHBA të kryejnë sulme terroriste. “Të dhënat janë atje, nëse e dini se ku duhet të shikoni. Të shpërndara nëpër qoshet e internetit, ka dëshmi se Zulfi Hoxha, djali i një pronari picerie shqiptaro-amerikane nga Nju Xhersi, kishte plane të këqija”, shkruan “The Atlantic” duke nënvizuar se ai është vënë në krye të Shtetit Islamik të Sirisë dhe Irakut (ISIS).

Hoxha njihet tani si një nga komandantët kryesorë të Shtetit Islamik dhe një nga fytyrat e përpjekjeve të grupit për rekrutim. Sipas të dhënave federale, ai u largua nga SHBA në 6 prill 2015 dhe katër ditë më vonë ndodhej në një kamp stërvitor të ISIS. Për gjashtë, muaj sipas disa zyrtarëve të rendit dhe sigurisë, ai ishte personazh në një video të tmerrshme ku ekzekuton disa pengje.
Këto rrjete janë të rëndësishme për rekrutimin e të rinjve për t’u dërguar në Irak e Siri. Disa prej tyre, si Zulfiu janë lidhur nëpërmjet internetit dhe pastaj me anë të kontakteve të reja, lidhen me ndihmës të ISIS që i sigurojnë udhëtimin drejt Sirisë. Sot, ISIS është duke humbur gjithnjë e më shumë terren dhe pyetja që vijon është ku do të shkojnë këta njerëz që po humbasin luftën?
Në maj 2017, zyra e medias së ISIS, në provincën Nineveh, në Irak lëshuan një video 45-minuta me titullin:

“Ne do t’i kthejmë me siguri në rrugët tona”. Ashtu si shumë video nga ISIS edhe në këtë shfaqen disa luftëtarë vullnetarë nga vende të ndryshme. Një nga njerëzit e maskuar është një amerikan që e quan veten “Abu Hamza al-Amriki”, por në fakt është Zulfi Hoxha. Ai kritikon Amerikën dhe u bën thirrje besimtarëve në SHBA që të bëjne sulme brenda vendit: “A nuk jeni në gjendje që t’ia ngulni thikën një jo-muslimani? Ta hidhni poshtë nga një ndërtesë? Ta shtypni me makinë? Çlirojeni veten nga zjarri i Ferrit duke vrarë një jo-musliman”.

Më pas ai tregon para kamerës disa raketahedhëse, prodhim amerikan, që thotë se ua kanë marrë grupeve të armatosura kurde dhe Shiite pasi ISIS i ka mposhtur në fushëbetejë. Pas një hetimi dyvjeçar të kuadrove amerikane që kanë udhëtuar për në Siri dhe Irak, agjentët federalë më në fund kanë zbuluar se Abu Hamza al-Amriki i videos është Zulfi Hoxha.
Në kohën e regjistrimit të videos Hoxha ishte rreth 25-vjeç. Duke qenë se ka shkuar në Siri më pak se tre vjet më parë, ngjitja e tij në krye të ISIS ka qenë shumë e shpejtë. Ai nuk dihet se ku ndodhet sot, por nisur nga videoja e majit 2017, duhet të ketë qenë në atë kohë në Irakun veriperëndimor./abcnews.al

vlcsnap-error038-1-1280x720.jpg
us er15:34 | 14/01/2018

Në mbikalimin e Fllakës në Durrës kalimi është kthyer në makth. Drejtuesit e mjeteve tregojnë se si ndjehen në këtë segment rrugor.

Ato më me fat i shpetojnë kësaj rruge vetëm me disa manovra. Të tjerë mbeten të bllokuar në gropat e mëdha per disa minuta. Dalja nga autostrada Tiranë-Durrës pranë mbikalimit të Fllakës është kthyer në makthin e të gjithëve.

Shumë drejtues automjetesh, të detyruar ta përshkuajnë këtë segment disa here në ditë, ankohen për gjendjen.
Dy degëzimet sekondare, pa asnje standart sigurie dhe të hapura provizorisht mbeten shkak edhe për aksidente.

Siç shihet nga video, shkëputja nga autostrada bëhet direkt nga korsia e shpejtësisë. Ulja e shpejtësisë dhe frenimi i befasishëm për shkak të gropave, sapo lë autostraden rrezikon përplasjen e automjeteve. Në këto dy nyje dytësore, krahas banorëve të zonës kalojnë dhe automjetet e afro 170 subjekteve private, bizneset e të cilëve shtrihen në të dy anët e rrugës. Pavarësisht rrezikshmërisë së lartë që paraqitet në këtë vend, ende nuk po investohet, ndonëse për vite me radhë është premtuar shumë./abcnews.al

vlcsnap-error884-1280x720.jpg
us er15:30 | 14/01/2018

Në Fier është mbajtur një shërbesë e posaçme për heroin tonë kombëtar Skënderbeu. Ky është qyteti i i parë që kryen një aktivitet të tillë.

Viti i heroit kombëtar ka nisur të kremtohet në Fier dhe ka filluar nga kisha e një shenjtori që mban emrin e Gjergj Kastriotit. Mitropolia e Apollonisë dhe Fierit ia dedikoi shërbesën e kësaj të diele në kishën e Shën Gjergjit, Gjergj Kastriotit dhe veprës së tij.
Mitropoliti Hiresi Nikolla, në këtë shërbesë kishtare përkujtoi jetën dhe veprën e Skënderbeut prej lindjes deri në vdekje. Në këtë shërbesë që është ndoshta nga të vetmet për “Vitin e Skënderbeut”, Hiresia e tij Mitropoliti Nikolla ka thënë se populli shqiptar ka nevojë për heronj të tillë si Skënderbeu.
Heroi kombëtar luftoi deri në fund të jetës së tij jo vetëm për mbrotjen e trojeve shqiptare, por edhe të mbarë krishtërimit, theksoi Mitropoliti Nikolla./abcnews.al

vlcsnap-error669-1-1280x720.jpg
us er15:20 | 14/01/2018

Kryeministri Rama ishte i pranishëm në aktivitetin e organizuar me rastin e 26 vjetorit të krijimit të grupit rinor të Partisë Socialiste, FRESSH. Në fjalën e tij kreu i mazhorancës foli për arritjet e qeverisë dhe për një mandat të dytë historik sipas tij, sa i përket vendit.

Ditëlindja e forumit rinor socialist nuk arriti të kanalizojë retorikën e shefit të ekzekutivit i cili në 26 vjetorin e FRESSH iu drejtua të rinjve në cilësinë e kryeministrit, jo kryetarit të partisë.
Përpara të rinjve socialistë të ardhur nga çdo qark, kreu i selisë rozë listoi si arritje politike ligjin e kaluar pak ditë më parë në shtetin fqinj, Maqedoni./abcnews.al

vlcsnap-error367-2.jpg
us er15:16 | 14/01/2018

Një 48 vjeçar është arrestuar nga policia kufitare në Qaf Botë, pasi iu gjet një sasi lënde narkotike kanabis sativa në formë çokollate. Sipas njoftimit të policisë, gjatë kontrollit të mjetit që drejtohej nga Fatos Alushllari, shërbimet e Policisë Kufitare në bashkëpunim me doganën kanë konstatuar 22 pako me lëndë narkotike me peshë 23.5 kilogramë. 48 vjeçari Alushllari, banues në Tiranë, është shoqëruar menjëherë në Komisariatin e Policisë Sarandë nga Specialistët për Hetimin e Narkotikëve, ku në përfundim të veprimeve të para hetimore është bërë arrestimi në flagrancë i tij. Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua lënda narkotike, automjeti dhe 2 aparate celulare. Materialet i kaluan Prokurorisë për veprën penale ”Trafikim të lëndëve narkotike”./abcnews.al

vlcsnap-error351-1-1280x720.jpg
us er15:00 | 14/01/2018

Policia e Shkodrës nuk ka gjetur akoma autorët e atentatit me tritol ndaj Lulzim Kullës, por ka zbuluar mekanizmin se si ka ndodhur ngjarja.

Janë momentet e para pas shpërthimit të fuqishëm në Shkodër. Drejtorin e policisë, Xhopvalin Loken, e njoftojnë sapo ai mbaroi fjalinë për festën e policisë, kurse gazetari i Abc News Simon Shkreli, vrapon i pari në vendin e ngjarjes. Shkodra u përfshi në panik. Zhurma alarmoi banorët e saj.
Një ditë më pas policia ka zbardhur detaje të reja. Nga hetimet rezulton se në motorrin ku ishte vendosur sasia prej 400 gramë tritoli, ishte parkuar vetëm pak minuta para se Lulzim Kulla të hipte në makinë.
Për këtë ngjarje janë shoqëruar në polici nëntë persona, por që ende nuk është gjetur një dëshmi rreth autorëve.
Policia ka sekuestruar kamerat e sigurise te lokaleve prane objektit ku ndodhi shperthimi ne lagjen Rus te Shkodres.
Sipas të dhënave të përcjella nga policia, saktësohet se tre nga të dëmtuarit, midis tyre dhe Lulzim Kulla, i cili ishte objektivi i sulmit, janë në gjendje të rëndë dhe ndodhen në spitalin e Traumës në Tiranë.
Dhe pas kësaj panorame vjen apeli i shefit të policisë kriminale Saimir Rrustemi: “Do ul kokën para prokurorëve e gjyqtarëve: Boll më! Vendi ka nevojë për pjesën tuaj të drejtë e të ndershme!”, shkruan ai në mesazhin e tij në ‘Facebook’. Shpërthimi në Shkodër shkaktoi plagosjen e tetë personave./abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore.


Kontakt

Telefono