nev ila

realii.jpg
nev ila19:38 | 14/09/2019

Reali i Madridit e fitoi ndeshjen e radhës në ligën spanjolle, por nuk bindi aspak. Pas epërsisë 3-0 në pjesën e parë, kryeqytetasit rrezikuan pas pushimit, duke qenë tepër të dobët në mbrojtje

Cila është fytyra e vërtetë e këtij ekipi?

Reali i sezonit 2019-2020 do të jetë ai që u shfaq i jashtëzakonshëm në pjesën e parë ndaj Levantes në “Santiago Bernabeu”, apo përkundrazi, skuadra e dorëzuar e pjesës së dytë, që thuajse dorëzoi një fitore të siguruar.

Ky ishte shqetësimi i madh që formacioni i hedhur në fushë nga Zinedin Zidan I dha dhjetëra mijë tifozëve në Madrid, sepse pas avantazhit 3-0, ndryshoi tërësisht për keq.

Dakord, pati mungesa, pasi Modriç nuk ishte aspak, dhe Eden Hazar hyri vetëm në pjesën e dytë, por këto arsye nuk u dukën bindëse për atë që ndodhi.

Me të marrë goditjen e parë, menjëherë pas pushimit, madrilenët sikur nuk ishin më vetvetja.

Besohet, prishi shumë punë dalja pas një ore lojë e kapitenit Sergio Ramos, me Zidanin që deshi të provonte edhe Militaon në mbrojtje.

Jo se luajtën keq, përkundrazi tifozët ndoqën një skuadër sulmuese në “Bernabeu”, por që shpërdoroi shumë dhe që u tregua e pasigurt në mbrojtje.

Një kombinim i tillë, ndaj rivalëve më të fortë, mund të sjellë dështime të mëdha, siç ndodhi në miqësoren e verës ndaj Atletikos, humbur 3-7.

Zidan u duk i qetë dhe me besim se Reali do të mësojë të shënojë më shumë e të pësojë më pak, por kjo duhet të ndodhë që të besohet, ndërsa legjenda franceze nuk po duket shumë bindëse në stol që pas rikthimit sezonin e kaluar.

Lajmi më i mirë, përveç fitores, ishin golat e Karim Benzemasë, që kaloi Hulio Salinasin, duke pasur 152 rrjeta në La Liga, e duke hyrë në 20 më të mirët në renditjen e të gjitha kohëve./ABC News Albania 24/7

banoret-termeti-qafzez-1280x713.jpg
nev ila18:17 | 14/09/2019

Në Qafëzez ka nisur ndërtimi i shtëpive të dëmtuara nga tërmeti. Por banorët janë të pakënaqur me mënyrën e vlerësimit të dëmeve nga bashkia dhe emergjencat civile. Ata pretendojnë se ndërhyrjet e pjesshme në banesa nuk e shmangin rrezikun nga shembja.

Tre prej shtëpive që u rrënuan nga tërmeti në Qafëzez po ngrihen nga themeli.

Në 20 të tjera, ndërhyrjet do të jenë restauruese. Të pakënaqur me mënyrën e vlerësimit të dëmeve nga komisionet e bashkisë dhe Emergjencave Civile, banorët u mblodhën në qendër të fshatit për të protestuar.

Ata janë të shqetësuar se riparimi i pjesshëm i shtëpive, që kanë pësuar dëme të konsiderueshme, nuk do t’i ktheje ato në të banueshme.

Të prekurit nga tërmeti refuzojnë të hyjnë në shtëpitë, ku gjysma e ambienteve, ku nuk do të vihet dorë, do të jenë sërish në rrezik për tu shembur.

Kanë larguar punëtorët nga shtëpia,si mënyrë për të kundërshtuar zhdëmtimin e pjesshëm të shtëpive,edhe pse nuk kanë asnjë mundësi tjetër strehimi.

Ata që nuk e kanë parë emrin në listat e bashkisë, apo që ju është hequr emri, në fazën finale të përzgjedhjes, pretendojnë se procesi i vlerësimit të dëmeve ka qenë selektiv dhe jo transparent.

Kryebashkiaku i Kolonjës Erjon Isai ka siguruar familjet e prekura nga tërmeti se procesi i riparimit të shtëpive  do të përfundojë në fillim të tetorit.

Ato familje, që nuk kanë provuar ligjërisht pronësinë mbi banesën e dëmtuar,do të përfitojnë bonus qiraje nga bashkia.

Përveç riparimit të banesave të dëmtuara rëndë, është parashikuar dëmshpërblim për 264 shtëpi të tjera, më pak të dëmtuara./ABC News Albania 24/7

sulmi-riad.jpg
nev ila18:07 | 14/09/2019

Rebelët huti sulmuan me dronë mëngjesin e të shtunës një rafineri në Arabinë Saudite, më të madhen në botë si dhe një nga rezervat më të mëdha të naftës e cila menaxhohet nga kompania kombëtare Saudi AramKo.

Sulmi shkaktoi shpërthime dhe zjarre në rafineri por nuk ka raportime për viktima apo të plagosur në strukturë. Ende nuk është e qartë se cilat janë pasojat e këtyre sulmeve për prodhimin.

Sipas disa filmimeve të publikuara në rrjetet sociale, në rafineri janë dëgjuar dhe të shtëna me armë dhe pse një gjë e tillë nuk është konfirmuar zyrtarisht.

Ministria e brendshme saudite konfirmoi sulmin duke thënë se kanë nisur hetimet.

Ndërsa në një mesazh të shkurtër rebelët Huti pranuan përgjegjësinë për sulmin duke thënë se ishin përdorur 10 dronë./ABC News Albania 24/7

gjykata-e-krimeve-te-renda-1280x720.jpg
nev ila16:49 | 14/09/2019

Pas një seance maratonë gjatë ditës së sotme, gjykata e krimeve të rënda liroi për arsye shëndetësore 3 nga 24 të arrestuarit gjatë Operacionit të koduar Limit”. 7 persona të tjerë janë ende në kërkim. Abc News siguron dosjen e prokurorisë dhe zbardh përgjimet e bisedave mes të dyshuarve.

Gjykata e Krimeve të Rënda ka verifikuar masat e sigurisë për 24 personat e arrestuar në kuadër të operacionit të koduar Limit. Gjyqtarja Etleva Deda vendosi që të lironte 3 prej të arrestuarve për arsye shëndetësore.

Për 21 të arrestuar të tjerë gjatë këtij operacioni në Shqipëri, gjykata e krimeve të rënda la në fuqi masën e sigurisë “arrest në burg”, të caktuar në mungesë për ta.

Në masën e sigurisë arrest në shtëpi u lanë Bektesh Zeneli, i cili gjatë seancës u transportua në spital për ndihmë mjekësore. Po ashtu nga qelia u liruan Fejzo Dana dhe Agron Manka. Personi nën hetim  Agron Manka mësohet se gjatë seancës ka deklaruar para gjyqtares se ka pranuar të punojë për arsye ekonomike dhe se çdo ditë e bënte në këmbë rrugën nga Tepelena në Këlcyre.

Manka ka treguar se atje rrinte gjithë ditën në një stan dhe se merrej me vaditjen.

Sipas përgjimeve të Prokurorisë për Krime të Rënda, që gjenden dhe në dosjen hetimore, të cilën e disponon ABC News, dyshohet se krerët e dy grupeve kriminale që merreshin me trafikun e drogën, janë Olger Bamllari, që është në kërkim, dhe Aleksandër Pepi alias Bani i njohur me pseudonimin “Veshua”, tashme i arrestuar.

Personat nën hetim përdorin pseudonime si Qukapiku, Pinoku, Budallai , ndërsa vihet re se komunikojnë edhe me mesazhe të koduara. Në një nga bisedat telefonike midis Olger Bamllarit dhe personit me pseudonimin pinoku, ky i fundit i konfirmon se ka marre 3600 euro dhe se do ja dërgonte.

Një tjetër bisedë interesante është midis Olger Bamllari dhe Aleksandër Pepës. Ky i fundit i thotë Olgeri Bamllarit që të flasë me Budallain, pseudonimi i Genci Bamllarit, dhe t’i thotë që të heqë të gjithë numrat e telefonit dhe gjithashtu të fshije edhe Facebook.

Operacioni i koduar “Limit” u krye nga Prokuroria për Krime të Rënda në bashkëpunim me policinë e Shtetit dhe autoritetet greke. Në pranga kanë rënë 18 persona, ndërsa 6 të tjerë janë aktualisht në burg, të arrestuar më herët. Kurse 7 persona të tjerë janë në kërkim.

Për të njëjtin aktivitet kriminal në dhjetor të vitit të shkuar në selanik janë arrestuar 31 persona dhe 3 të tjerë më vonë.

Kreu i këtij grupi të goditur në Greqi, dyshohet të jetë Nikolin Kapurani. Të arrestuarit akuzohen për “Trafikim të narkotikëve”, “Prodhim dhe shitje të drogës”,  “Kultivim të bimëve narkotike”, “Mbajte pa leje e armëve luftarake dhe municioneve”, “Dhënie ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit”, “Moskallëzimi i krimit”, “Përkrahje e autorit të krimit”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal”./ABC News Albania 24/7

policia-greke-marijuana.jpg
nev ila23:07 | 13/09/2019

Një sasi prej rreth 1 ton drogë është sekuestruar nga policia greke në rajonin e Janinës, ndërsa në pranga ka përfunduar një 30 vjeçar shqiptar.

Lënda narkotike po transportohej brenda një furgoni të mbyllur.

Më konkretisht, brenda tij ishin 951 kg e 650 gram kanabis, i cili u sekuestrua në kryqëzimin Eleousa në Janinë.

Shoferi 30-vjeçar i automjetit u arrestua ndërsa hetimi po vijon nga sektori kundër Drogës në Drejtorinë e Sigurisë në Janinë.

Policia greke ende nuk ka dhënë detaje të hollësishme për rastin./abcnews.al

morto-operaio-cementificio-altamura-720x449.jpg
nev ila22:34 | 13/09/2019

Një ngjarje e rëndë tragjike ka ndodhur këtë mëngjes në Altamura. Kreshnik Gockaj, 28 vjeç, ndërroi jetë duke punuar në ndërtim.

28 vjecari gjeti vdekjen pas një aksidenti ndërsa ishte duke punuar në një kompani betoni në Altamura, në provincën e Barit.

Mësohet se shqiptari është rrëzuar dhe është shtypur nga një makinë që thyente gurët.

Megjithë ndërhyrjen e policisë ka qenë e pamundur shpëtimi i jetës së punëtorit.

Autoritetet italiane janë duke punuar për zbardhjen e plotë të shkaqeve të këtij aksidenti tragjik./abcnews.al

Fran-Frrokaj-provokacija-1280x714.jpg
nev ila21:57 | 13/09/2019

Në mbrëmjen e sotme në emisionin “Provokacija” i gazetarit Mustafa Nano, ka qenë i ftuar ish-kryetari i Lezhës Fran Frrokaj. Që prej vitit 2014, Frrokaj ka drejtuar në dy mandate komunën e Shenkollit dhe Lezhën, nën përfaqësimin e  Partisë Demokratike.

Frrokaj në bisedën e tij me gazetarin Mustafa Nano ka ndarë me publikun, opinione dhe pjesë nga jeta e tij politike. I pyetur se përse i pëlqen politika, Frrokaj tha se ajo është një profesion dhe se në mandatin e parë nuk ka qenë aq i afeksionuar pas politikës. Me kalimin e kohës tha Frrokaj u kthye në një profesion.

“Në mandatin e parë nuk është se e kam patur kaq pasion por pastaj të bën për vete dhe kthehet në profesion, bëhet pjesë e ADN dhe të përfshin”, tha ai.

Mustafa Nano: Po kur je pjesë e politikës, si është marrëdhënia midis lirisë tënde individuale dhe nevojës për të mbrojtur një interes kolektiv, a jeni më i lirë?

Fran Frrokaj: Unë flas personalisht për këtë pjesë, unë absolutisht kam qenë i lirë. Kjo është natyra ime dhe për fat këtë e ka ditur Berisha, Basha dhe lezhianët. Unë jam tip që nuk shtrohem kollaj, mbroj interesat e mëdha që thatë ju por jo të një parcele të caktuar, natyrisht me këtë ngjyrën blu. Unë jam inxhinier me profesion dhe jam larguar sepse më ka pëlqyer më shumë politika.

Si moment i veçantë i situatës aktuale politike në partinë demokratike por edhe në Shqipëri, siç ishte vendimi i djegies së mandateve dhe bojkotimi i zgjedhjeve lokale, Frrokaj u shpreh se vendimi i djegies së mandateve nuk ka qenë vetëm i kryetarit Lulzim Basha por dhe i shumë të tjerëve brenda partisë, ndërsa vendimi për bojkotimin e zgjedhjeve erdhi si rrjedhojë e vendimit të djegies së mandateve.

Për bojkotimin e zgjedhjeve nuk ka qenë vendim personal i kryetarit por ka qenë një vendim më i gjerë. Partia Demokratike është një forcë politike e cila ka bërë shumë punë të mëdha. Ato vendime që janë marrë kanë bërë atë që duhej. Personalisht mund të jem një person i prekur nga këto vendime, sepse isha i bindur që Lezhën do e merrja, por tani them se kjo ishte më e mira. Në politikë luhet për shumë dhe absolutisht kam qenë dakord për të dy vendimet”, u shpreh Frrokaj.

I pyetur nga Nano se për shkak të këtyre vendimeve a rrezikon Partia Demokratike të shkrihet, Frrokaj tha:

“Jo nuk shkrihet. Dua të them dicka, e kam lexuar diku që e djathta është për shtet ndërsa e majta për pushtet. Në gjithë botën e djathta është një institucion më i fortë për shtetin. Partia Demokratike Shqiptare mund të tkurret dhe të garantoj që do të “sitet”, do të ikin ata të cilët kanë qenë artificialisht te ajo parti, por boshti i saj do të ngelet. Partia Demokratike është e madhe dhe ndoshta lëvizja e Bashës, për të bërë këtë hap kaq drastik për njësitë vendore, ka qenë pikërisht në frymën e kësaj”, deklaroi Frrokaj./abcnews.al

fatos-tarifa-1280x701.jpg
nev ila21:33 | 13/09/2019

“Fjalori i paradokseve” nga Fatos Tarifa, ishte libri në të cilën u bazua biseda e zhvilluar mbrëmjen e sotme në “Provokacija” me Mustafa Nanon. Libri i Prof. Tarifës është i mbushur me maksima, me thënie të shkurtra të cilat sintetizojnë një mendim apo një qëndrim të vetë Tarifës në momente të caktuara. Në bisedën e zhvilluar në studion e “Provokacija”, profesor Fatos Tarifa shprehu mendimin e tij në lidhje me fenë dhe arsimin në shoqërinë shqiptare, për të cilat është shprehur dhe në librin e tij më të fundit.

Mustafa Nano: A ka një libër të tillë këtu në Shqipëri?

Fatos Tarifa: Jo, Gustav Flober ka një të tillë nga ku u ngacmova dhe unë në fakt. Dhe mendova të provoj edhe unë, si mund të vlerësoj shumë prej nocioneve që përdorim rëndom në jetën e përditshme.

Mustafa Nano: Janë gjëra të shkruara gjatë jetës?

Fatos Tarifa: Jo janë të shkruara këto dy vitet e fundit.

Mustafa Nano: A është e lehtë të jesh i lumtur në Tiranë?

Fatos Tarifa: Është e vështirë të jesh i lumtur edhe në Kaliforni. Është e lehtë të jesh i lumtur në Tiranë nëse zgjedh të jesh i tillë. Ti bën zgjedhjet e duhura në jetë dhe nuk ke pritshmëri të parealizueshme. Ato që shpesh e dëshpërojnë individin janë mosrealizimi i atyre ëndrrave dhe pritshmërive që ai ka.

Mustafa Nano: Ju më keni thënë që nuk para lexoni shqip.

Fatos Tarifa: Ja u kam thënë sepse, në fushën time nuk shoh kolegë që të shkruajnë gjëra nga të cilat do të mësoja më shumë. Njeriu kur lexon, lexon ose për të shuar një kureshtje ose për të mësuar nga ajo çfarë lexon. Ka shumë literaturë “surrogato”, po shohim përditë e më shumë plagjiaturë. Njerëz me emër, njerëz drejtues, bëjnë plagjiaturë dhe nuk kanë mendimin tyre origjinal. Jeta është aq e shkurtër saqë duhet të zgjedhësh. Unë sot bleva librin tuaj “Sandwich” në shqip  për ta lexuar.

Mustafa Nano: A ju bezdis prania e fesë?

Fatos Tarifa: Jo, më bezdis përpjekja e saj për të indoktrinuar individin njerëzor. Unë e përcaktoj individin si ateist të lindur, pa idenë e fesë. Cdo njeri lind pa asnjë ide në kokë dhe disa nga ne vdesin po ateist dhe disa fetar.

Mustafa Nano: Çfarë mendoni për besimtarët?

Fatos Tarifa: Është një e drejtë dhe një liri që çdo njeri duhet ta ushtrojë lirshëm, jo nën trysninë dhe presionin e institucioneve dhe agjencive.

Mustafa Nano: Më keni dhënë përshtypjen se i mendoni njerëzit fetar si me IQ të ulët?

Fatos Tarifa: Jo domosdoshmërisht. Besimi është çështje individuale, natyrisht historia e zhvillimit të shkencës tregon se mendjet më të mëdha që kanë çuar përpara zhvillimin shkencor-shoqëror, kanë qenë njerëz jo besimtar. Feja është një nevojë. Ka njerëz që e ndjejnë këtë nevojë dhe për këtë arsye diku do të mbështeten, është një shpresë, ushqen një shpresë. Unë asnjëherë nuk kam besuar në një fuqi të mbinatyrshme. Në vitet 90’ pati një amulli të madhe mendore nga fakti që feja ishte e ndaluar dhe tani ajo duhej lejuar. Njerëzit nuk qenë të përgatitur, ne flasim për shqiptarët si një popull me shumicë myslimane me mbi 70 % e cila është një gënjeshtër e madhe. Në vitin 91’, unë bëra një survey për Departamentin e Shtetit dhe më rezultoi se, 52 % e shqiptarëve ishin skeptikë, jo besimtarë, ateist. Vetëm 26 % rezultoi se identifikoheshin si myslimanë. Në një pyetësor që bëra me intelektualë e profesor universitetesh, më rezultoi se pjesa më e madhe e atyre që studiojnë shkencat natyrore ekzakte, nuk janë besimtarë, po kështu një pjesë e madhe e atyre që studiojnë humanitetet. Shumë pak prej tyre rezultuan të jenë fetar të dedikuar.

Mustafa Nano: E keni vënë re që në Shqipëri shkrimet kritike ose janë qoka ose janë shkrime që hedhin baltë?

Fatos Tarifa: Është tërësisht e vërtetë dhe fatkeqësisht në Shqipëri ka humbur kritika letrare. Në vitet 80’ kemi patur kritikë por tani ka humbur.

Mustafa Nano: Të mbajturit e titullit profesor, që në Shqipëri e ka humbur kuptimin e vet, shumë njerëz e mbajnë, fare pak janë ata që e meritojnë, një nga të vërtetat më të hidhura…

Fatos Tarifa: Po një nga të vërtetat më të hidhura të kësaj shoqërie. Ne shpresojmë të bëjmë një reformë në arsimin e lartë me këta profesor të cilët do të krijojnë profesor të tjerë që do jenë po si këta ose më keq akoma. Ky sistem nuk do ndryshojë ndonjëherë. Unë vetë kam një episod nga jeta ime personale. Edhe pse me dy doktoratura të huaja dhe me një përvojë në mësimdhënie në 5 universitete amerikano-hollandeze, hoqa peripecitë për të marrë titullin e profesorit kur u ktheva në Shqipëri sepse më luftuan këta profesorë, disa prej të cilëve ishin dhe shokë të cilët kishin akumuluar një përvojë shumë më të pakët dhe kishin merita shumë të pakta madje mburreshin se kanë ndihmuar shokë të tyre të dobët të kalojnë pengesat për të marrë titullin e profesorit. Unë desha ta fitoj me gjyq një gjë që duhet të më ishte dhënë për meritat e mia. Sot fatkeqësisht kemi shumë profesorë të paaftë.

Mustafa Nano: Në planin akademik, a ka një jetë akademike këtu?

Fatos Tarifa: Nuk ka, i vetmi universitet në të cilin ka një frymë, një ethos kërkimor akademik, është Universiteti Europian i Tiranës. Në akademinë e shkencave nuk bëhet fjalë për kërkim. Kërkime të mirëfillta studimore nuk bëhen./abcnews.al

kw47_interview_krichbaum_bild-1280x721.jpg
nev ila17:49 | 13/09/2019

Bundestagu gjerman nuk e fsheh mundësinë që Shqipëria dhe Maqedonia të ndahen në rrugën e hapjes së negociatave që deri tani e kanë pasur të përbashkët. Gunter Krishbaum, kreu i komisionit për çështjet evropiane në Bundestag, tha se secili vend duhet të përparojë sipas meritave vetjake.

Shqipëria e Maqedonia e Veriut deri më tani i kanë hedhur bashkë hapat e integrimit. Të dy vendet po presin në 18 tetor të çelin negociatat, por nuk përjashtohet mundësia që tani rrugët e dy vendeve të ndahen e njëra të përparojë më shumë se tjetra.

Gunter Krishbaum, kreu i komisionit për çështjet evropiane në Bundestag, tha për Deutche Welle se secili vend duhet të përparojë sipas meritave vetjake.

Günther Krichbaum: Në Bundestagun gjerman jemi duke u këshilluar edhe për Shqipërinë,  dhe sa i përket pyetjes suaj për ndarje mund të them se që prej raundit të fundit të zgjerimit të BE, me 10 plus 2 shtete, më 2004 dhe 2007 është parë se është më mirë që vendet të vlerësohen sipas përparimeve që bëjnë vetë, me të ashtuquajturën “parimi i meritës vetjake”. Prandaj vendet duhen gjykuar për përpjekjet që bëjnë. Për mua është e qartë se mund të bëhet shkëputja e dy vendeve, e megjithatë në fund mund të ndodhë që bisedimet të fillojnë në të njëjtën kohë për të dy vendet. Nuk po flasim për fillimin e bisedimeve për kapitujt e pranimit, se ky është hapi i dytë.

Günter Krichbaum shprehet optimist për Maqedoninë, duke i njohur meritën e marrëveshjes me Greqinë.

Unë mendoj se përpjekjet që po bën Maqedonia Veriore vlerësohen, sepse me Marrëveshjen e Prespës u arrit të zgjidhet një konflikt shumë vjeçar me Greqinë. Ky sukses vlerësohet. Por nuk duhet harruar që vazhdojnë të ekzistojnë sfida të mëdha përpara, si për shembull reforma e sistemit të drejtësisë, ose që ekonomia duhet të zhvillohet në mënyrë që të tërheqë investimet direkte. Ne do të zhvillojmë në fund të shtatorit diskutimet në Komisionin e parlamentar të Bundestagut që merret me çështjet evropiane, përkatësisht do të marrim vendimin në parlamentin gjerman dhe në muajin tetor do të merret vendimi përfundimtar.

Sipas ligjeve gjermane, Kancelarja Merkel është e detyruar t’i nënshtrohet vendimit të Bundestagut për çdo qëndrim mbi zgjerimin e BE-së./ABC News Albania 24/7

aksioni-limit-1280x715.jpg
nev ila16:27 | 13/09/2019

Ka shkuar në 58 numri i personave të arrestuar, si rezultat i finalizimit të operacionit “LIMIT”, kundër trafikut të narkotikëve dhe qenieve njerëzore.

Arrestohet një 65-vjeçar nga Korça, i cili ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar në kuadër të operacionit “Limit”.

Këto janë pamjet gjatë aksionit, duke e çuar numrin e të ndaluarve në 58 në të dy vendet, Greqi dhe Shqipëri. Ndërkohë shtatë persona të tjerë vijojnë të jenë në kërkim.

Operacioni u finalizua pas një hetimi 3-vjeçar, ku katër grupe kriminale operonin në fushën e narkotikëve dhe të trafiqeve të paligjshme.

Në hetime u përfshi edhe Prokuroria e Krimeve të Rënda, në bashkëpunim edhe me Policinë Greke.

Gjatë aksionit të zhvilluar në Shqipëri u arrestuan 23 persona dhe  shtri në 6 qyteti të vendit.

Kontrollit për kanabis nuk i shpëtoi as Lazarati dhe zonat përreth tij.

Në total u angazhuan 300 efektiv policie, ndërsa bashkëpunimet u kërkuan edhe nga homologët e të Holandës nga ku vinte fara e kanabisit.

Gjatë operacionit në Shqipëri dhe Greqi u sekuestruan rreth 320 kg kanabis, 7.5 kg Kanabis në formë çokollate,  2.4 kg Kokainë, laboratorë për kultivim të bimëve narkotike, 3800 fara kanabis, fishekë luftarakë, si dhe janë asgjësuar parcela me bimë narkotike të kultivuara./ABC News Albania 24 /7


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono