G. P.

maqedoni-kuvendi.jpg
G. P.17:30 | 20/07/2019

Sipas projektligjit të ri për Prokurorinë Publike, në Maqedoninë e Veriut, për ndjekje të krimit të organizuar dhe korrupsionit të lartë, prokurorët e rinj do të mund të konkurrojnë për kreun e prokurorisë. Ministria e Drejtësisë e publikoi projektligjin, në një kohë që partitë politike shprehen të ndara në qëndrimet e tyre.

Me Ligjin për Prokurori Publike, për të cilin njoftoi dje Kryeministri Zoran Zaev, Prokuroria Speciale Publike do të kalojë në Prokurorinë Themelore Publike për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe do riemërohet në Prokurori Themelore Publike për ndjekjen e krimit dhe korrupsionit të lartë. Javën e ardhshme në Kuvend do të propozohet tekst i ri i ligjit për Prokurorinë Publike,

Propozim-ligji parasheh:

· PSP-ja të kalojë në PTHP për ndjekjen e krimit dhe korrupsionit.

· Do të ketë kompetenca në tërë territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut.

· Do të ketë garanci që në mënyrë të mëvetësishme të përgjigjet dhe vendos për lëndët e PSP-së.

· Do të udhëhiqet nga Villma Ruskovska.

· Prokurorët aktual të PSP-së do të vazhdojnë të punojnë në PTHP për ndjekjen e krimit dhe korrupsionit të lartë.

· Mandati i tyre është deri më 15 shtator, por do të kenë mundësi për rizgjedhje.

· Përbërjen e Prokurorisë së re do ta zgjedhë Këshilli i Prokurorëve.

· Të gjithë rastet e PSP-së ajo do t’i vazhdojë dhe procesojë para gjykatave kompetente.

· Nga PSP-ja, në PTHP do të kalojë edhe Arkivi, mjetet dhe aparatura.

· Shefi i kësaj prokurorie do të mund të shkarkohet me 2/3 e votave të Këshillit të Prokurorëve.

· Ajo nuk mund të ndjekë krim pa aprovim nga prokurori publik.

· Ajo nuk ka të drejtë që ta urdhërojë ndonjë institucion tjetër të kryejë ndjekje të krimit për të cilin është përgjegjëse vetë ajo.

Nga Bashkimi Demokratik për Integrim propozim/ligjin e vlerësojnë si pozitiv duke theksuar se kjo do të jetë një zgjidhje e përhershme kundër krimit dhe korrupsionit.

“Propozimi është bazë e mirë dhe në përgjithësi kornizë në drejtim të duhur për një zgjidhje të përhershme për institucionalizimin e luftës kundër krimit dhe korrupsionit. Tani u mbetet partive politike dhe deputetëve të arrijnë koncensus mbi tekste të negociuar, por në kuadër të kësaj kornize”, thonë nga BDI.

Nga ASH njoftojnë se ngelen me qëndrimin që në krye të Prokurorisë Speciale të jetë prokuror nga Bashkimi Evropian. Nga Lëvizja Besa thonë se ende nuk e kanë shqyrtuar ligjin, e sa i përket emrit të prokurores Ruskoska thonë se nuk është me rendësi se kush do të udhëheqë.

“Ligjin e kemi marrë dje për ta shqyrtuar. Emri s’ka rëndësi aspak, me rëndësi është ndërtimi i institucionit që tash ka humbur kredibilitetin e vet”, thonë nga Lëvizja Besa.

Për parinë opozitare VMRO-DPMNE propozimi i kryeministrit Zaev konfirmon kontrollin e drejtpërdrejtë që LSDM ka në punën “Ruskoska prokurori”./ABC News Albania 24/7

moti-2.jpg
G. P.16:46 | 20/07/2019

Sipas MeteoAlb: Alternime kthjellimesh dhe vranësirave të lehta mbizoterojnë dei në mesditë, ku më të dukshme vranësirat paraqiten në zonat malore. Por pasditja shton vranësirat duke sjellë shira në ekstremin verior dhe juglindje.

Temperaturat e ajrit mbetën kostante në mëngjes, por mesdita do të ngjis termometrin deri në  36°C mesdita. Era do fryjë e lehtë me shpejtësi 28 km/h nga drejtimi veriperëndimor duke krijuar  dallgëzim 2 ballë./ABC News Albania 24/7

partizani-5.jpg
G. P.17:00 | 19/07/2019

Skuadrat shqiptare dështojnë në ndeshjet e kthimit në Kupat e Europës. Kukësi, Teuta dhe Laçi përfundojnë aventurën në Europa League ndërkohë që Partizani është skuadra e vetme shqiptare që vijon rrugëtimin në turin evropian.

Ekipet shqiptare dështojnë në ndeshjet e kthimit në Champions dhe Europa League. Partizani, Kukësi, Teuta dhe Laçi nuk ia dolën të bënin surprizën për të përmbysur rezultatet e takimeve të para.

Në tetë takimi duke llogaritur ndeshjet vajtje-ardhje, katër skuadrat shqiptare kanë shënuar vetëm tre gola dhe kanë pësuar plot 11 gola.

Partizani është e vetmja skuadër që përfaqëson Shqipërinë në Europë. Pas eliminimit nga Champions, të kuqtë kalojnë automatikisht në turin e dytë të Europa League ku e pret skuadra moldave e Sherif Tiraspol. Partizani luajti si i barabartë me Karabag, por eksperienca beri diferencën.

Një zhgënjim edhe në radhët e Kukësit që nuk ia doli të bënte surprizën ndaj Debrecen. Verilindorët u mundën 3-0 në transfertën hungareze dhe barazuan 1-1 në “Elbasan Arena”.

Një rezultat që i eliminoi verilindorët nga Europa League duke mos kaluar në turin e dytë. Kukësi zhvilloi dy ndeshje të mira dhe me raste shumë të pastra shënimi, por që nuk u shfytëzuan nga futbollistët. Zhgënjimi është i madh, por eksperienca ndikoi jo pak.

Skuadra e Teutës luajti dy takimi mjaft të mira dhe me ritëm ndaj skuadrës letoneze të Ventspils, por nuk ia doli të sigurojë biletën për në raundin tjetër. Në takimin e parë, Teuta u mund me shifrat 3-0.

Tre gola që erdhën pas një pakujdesie të prapavijës durrsake. Në ndeshjen e kthimit në “Niko Dovana” durrsakët fituan minimalisht 1-0, rezultat i cili nuk mjaftoi për të bërë surprizën.

Skuadra tjetër shqiptare e Laçit pati fatin e njëjtë me skuadrat e lartpërmendura. Kurbinasit u munden në ndeshjen e kthimit në Izrael ndaj Hapoel Bersheva me shifrat 1-0 ndërkohë që takimi i një jave më parë në Laç përfundoi ne barazim 1-1.

Kurbinasit zhvilluan dy takime mjaft të mira, por fati nuk ishte me të besuarit e trajnerit Sulejman Starova. Kjo ishte një nga performancat më të dobëta të ekipeve shqiptare në Europë që mesa duket e kanë të pamundur të përsërisin suksesin e Skënderbeut./ABC News Albania 24/7

mitsotakis-1.jpg
G. P.16:14 | 19/07/2019

Kryeministri i Greqisë Mitsotakis ka zhvilluar takimin e parë me deputetët e partisë demokracia e re, të cilët mbajnë një mazhorancë të fortë në parlamentin e ri grek. Ai u kërkoi deputetëve që të punonin shumë dhe të flisnin më pak.

Në takimin e parë të grupit parlamentar të “Demokracisë së Re” paraditen e së premtes, kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis u bëri apel deputetëve që të punojnë më shumë dhe të flasin më pak.

Pasi u prit me duartrokitje nga deputetët e partisë së tij, Mitsotakis u shpreh i mallëngjyer për faktin se partia e tyre kishte marrë një mazhorancë të fortë parlamentare me 158 deputetë, duke theksuar se ishte mazhoranca më e fortë prej disa vitesh.

Mitsotakis u kërkoi deputetëve që të kërkonin një nivel më të lartë të dialogut politik të bazuar në argumente. Ai shtoi se në zgjedhjet e përgjithshme të 7 Korrikut që sollën demokracinë e re në pushtet ishin një përgjigje për populizmin dhe ekstremizmin, duke theksuar se mungesa e Agimit të Artë në parlamentin e ri ishte një arritje.

Ai u kërkoi atyre që të luftonin populizmin dhe traditën e vjetër të klientelizmit të përditshëm politik si dhe të punonin shumë. Stavros Kalafatis u zgjodh në mënyrë unanime për të qenë kryetari i grupit parlamentar i “Demokracisë së Re”./ABC News Albania 24/7

akademia-e-shkencave.jpg
G. P.16:00 | 19/07/2019

Akademia e Shkencave i kërkon institucionalisht Presidentit Ilir Meta  që të rishikojë dekretin për Skënder Gjinushin. Nënkryetari i Akademisë së Shkencave, Vaso Tole, në përfundim të mbledhjes së jashtëzakonshme të asamblesë deklaroi se në kohën kur Gjinushi u zgjodh kryetar nuk ka qenë në papajtueshmëri ligjore. 

Akademia e Shkencave të Shqipërisë pas mbledhjes së jashtëzakonshme të asamblesë, e cila zgjati 2 orë  ka marrë vendimin  që t’i drejtohet institucionalisht Presidentit Ilir Meta që të rishqyrtojë edhe një herë dekretin që refuzon akademikun Skënder Gjinushi si kryetar i Akademisë së Shkencave i zgjedhur më 24 Maj me 36 votat e akademikëve nga 44. Edhe në këtë mbledhje, ky vendim është kundërshtuar nga Akademiku Artan Fuga.

Nënkryetari i Akademisë së Shkencave, Vasil Tole, tha se kohën kur Gjinushi u zgjidh kryetar nuk ka qenë në papajtueshmëri ligjore, ai e argumenton me rishqyrtim të dosjes dhe dokumentacionit te paraqitur nga Gjinushi. Ndërkohë që edhe në rast se presidenti Meta e rrezon kërkesën e Akademisë, Tole thotë se vendimin përfundimtar e merr asambleja.

Asambleja e Akademisë vlerësoi edhe vendimin e Kuvendit të Shqipërisë, i cili miratoi ligjit të ri të Akademisë së Shkencave me  82 vota pro, 25 kundër dhe 0 abstenim./ABC News Albania 24/7

aplikacion-ministrja.jpg
G. P.15:34 | 19/07/2019

Aksioni kundër informalitetit u ndal në Tiranë. Ministrja e Financave dhe Ekonomisë Anila Denaj bëri të ditur se shumë shpejt do të nisë funksionimin një aplikacion ku qytetarët do të mund të denoncojnë bizneset me shkelje.

“Stop informalitetit” vjen në muajin Gusht. Bëhet fjalë për një aplikacion ku konsumatorë apo të punësuar mund të denoncojnë çdo biznes ku konstatojnë shkelje ligji. Ministrja e Financave dhe Ekonomisë Anila Denaj e bëri të ditur ndërsa inspektonte disa sipërmarrje në qendër të Tiranës.

“Të gjithë konsumatorët duhet të na bashkohen në këtë nismë për të sfiduar biznesin e parregullt sepse qëllimi ynë është që ata që tregohen korrekt të mos mbajnë barrën fiskale. Çdo i punësuar mund të denoncojë një biznes nëse ai nuk e ka regjistruar, nëse nuk paguhet mbi bazën e pagës reale, nëse nuk i paguan sigurimet, nuk i paguan tatimet sipas ligjit. Përmes këtij aplikacioni mund të bëhen edhe denoncime nëse konstatohen sjellje abuzive dhe korruptive nga ana e administratës tatimore”.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë kërkoi bashkëpunimin e sipërmarrësve për të garantuar zbatimin e ligjit. Denaj deklaroi e inspektimet në terren për të garantuar konkurrencën e ndershme, rritjen e të ardhurave, si dhe për të luftuar informalitetin nuk do të ndalen./ABC News Albania 24/7

votimet.jpg
G. P.15:31 | 19/07/2019

Pas bashkisë së Durrësit, procesi i konfirmimit të fituesve të 30 Qershorit ka vijuar edhe në disa rrethe të tjera. Gjykata e Elbasanit ka njohur si kryebashkiak të Prrenjasit Nuri Belbën si dhe ka konfirmuar si fitues në Belsh Arif Tafanin.

Në Vlorë, gjykata ka njohur si kryebashkiak të Selenicës kandidatitn socialist, Pëllumb Binaj, ndërsa gjykata e Shkodrës ka konfirmuar Fran Tucin në krye të bashkisë së Fushë Arrëzit. Edhe Gjykata e Krujës ka njohur si fitues Artur Bushin.

Deri më tani, më shumë se gjysma e fituesve janë certifikuar nga gjykatat, ndërsa të tjerat janë ende në proces. Për 5 bashki pritet si fillim të shprehet Kolegji zgjedhor, pasi ka pasur ankimim nga Bindja Demokratike./ABC News Albania 24/7

ministria-e-arsimit.jpg
G. P.15:20 | 19/07/2019

Për tre ditë me radhë nga 24 Korriku deri më 27 Korrik në Jalë dhe Himarë 120 të rinj nga Shqipëria dhe Kosova do të jenë pjesë e shkollës verore 2019.

Aktiviteti do të organizohet nga Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë; në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë në Kosovë dhe temë do të ketë “Edukimi dhe punësimi në shekullin e 21- të”.

Për të qenë pjese e aktivitetit duhet të jeni nga 18 deri më 23 vjeç; student në institucionet publike të arsimit të lartë e të aplikoni në faqen zyrtare të Ministrisë së Arsimit.

Aplikimet janë të hapura deri më 21 Korrik 2019 ndërsa fituesit do të njoftohen një ditë më pas./ABC News Albania 24/7

lulzim-basha-1.jpg
G. P.14:54 | 19/07/2019

Kreu i demokratëve Lulzim Basha reagoi në rrjetet sociale pasi gjyqtari i Durrësit Shpëtim Reka vendosi të njohë Valbona Sakon si kryebashkiake të qytetit bregdetar. Sipas kryedemokratit Basha, drejtësia është nën kontrollin e plotë të Ramës dhe vendimi i sotëm i gjykatës së Durrësit është vendim i vendosur nga kryeministri.  Mirëpo ky vendim, shton më tej lideri demokrat, do të ketë pasoja të rënda për vendin dhe qytetarët.

“E gjithë drejtësia është nën kontrollin e plotë të Ramës. Vendimi i Gjykatës së Durrësit është vendimi i drejtësisë private që ka vendosur Edi Rama në Shqipëri. Ky shpartallim i sistemit të drejtësisë do të prodhojë për një kohë të gjatë pasoja të rënda për vendin dhe qytetarët. Nëse nuk e ndalim sa më parë Edi Ramën, Shqipëria do kthehet në një shtet tërësisht të falimentuar afrikan”, shkruan Basha në Facebook.

Këtë të premte gjyqtari Shpëtim Reka vendosi të njohë Valbona Sakon si krybashkiake të Durrësit. Ai pranoi një kërkesë që i është dorëzuar shkresërisht nga vetë kryetari i Ps-së Edi Rama, i cili kërkonte të njihte Sakon si kryebashkiake të Durrësit.

Për këtë bashki janë në fuqi dy vendime, ai i ditës së mërkurë që, kishte si kërkuese vetë Valbona Sakon, dhe që nuk e pranoi si fituese dhe ky i së premtes, më kërkues Edi Ramën, që e konfirmoi fitoren e Sakos.

Vetë kandidatja tha se do ta apelojë vendimin e së mërkurës, duke shpresuar se në këtë mënyrë do të shuajë betejën juridike./abcnews.al

epstein.jpg
G. P.14:45 | 19/07/2019

Rrezikon deri në 45 vjet burg, miliarderi 66 vjecar Jeffrey Epstein. Ai akuzohet për shfrytëzim seksual ndaj të miturve. I konsideruar dhe si një nga miqtë e presidentit amerikan Trump atij iu mohua liria me kusht.

I është mohuar liria me kusht miliarderit Jeffrey Epstein, i akuzuar për shfrytëzim seksual të të miturve. Faktet datojnë në periudhën 2002- 2005. Vendimi u mor nga gjykatësi federal Richard Berman, i cili u dha të drejtë prokurorëve, të cilët kishin kërkuar që të mos u jepej liria me kusht pasi ai rrezikon të arratiset.

Epstein në fakt ka dy avionë privatë. 66-vjeçari u arrestua në 6 Korrik me akuzën se kishte abuzuar me dhjetëra vajza minorene. Gjatë kontrollit në shtëpinë e tij u gjetën fotografi vajzash nudo, disa prej të cilave minorene.

Gjithashtu u sekuestruan shuma të mëdha parash, diamantë, objekte artistike me vlerë dhe jë pasaportë false e viteve ’80. Nëse do të shpallet fajtor, miliarderi mund të dënohet deri në 45 vjet burg.

Epstein është një ish-mik i Bill Clinton, princit Andrea dhe Donald Trump. Pikërisht gjatë një takimi elektoral të kreut të shtëpisë së bardhë në Kaliforninë e Veriut, një person mbante në dorë parullën ku shkruhej përdhunues fëmijësh.

Një referim ky për Epstein. Por Trump u përgjigj duke thënë se nuk kishte pasur ndonjëherë simpati për të./ABC News Albania 24/7


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono