ad min

zoran-zaev-1280x698.jpg
ad min12:27 | 31/10/2019

Kryeministri maqedonas Zoran Zaev kërkoi falje të mërkurën, duke thënë se nuk ka dashur të ofendojë njeri, por ka dashur të thotë se do të ketë luftë për shtetin. Ndërkohë, kryetari I opozitës Hristijan Mickovski, ka theksuar se dera është e hapur për partitë shqiptare dhe janë të gatshëm për të biseduar edhe për koalicion parazgjedhor me partitë shqiptare dhe partitë e etniteteve të tjera në vend.

Kryeministri maqedonas Zoran Zaev kërkoi falje të mërkurën ndërkohë që fliste në një tribunë në Prilep, për dorëzimin e pushtetit tek opozita.

“Nëse dikë e kam lënduar i kërkoj falje. Doja të isha i menjëhershëm. Doja të dërgoja një mesazh se nuk do të ishte e lehtë të dorëzohej pushteti, dhe pas 11 vitesh shkatërrim, përsëri të kthehen dhe të shkatërrojnë shtetin.  Na falni, kemi marrë vendime të guximshme, por nuk është e lehtë edhe për ne. Do të luftojmë deri në fund. Detyra jonë është të sigurojmë të ardhmen. Unë nuk kam dashur të ofendoj, dhe nëse dikush është i ofenduar, kërkoj falje, por kam dashur të them se do të ketë një luftë për shtetin”.

Zaev ka thënë se lideri i VMRO-DPMNE, Hristijan Mickovski nuk duhet të gënjehet nëse mendon se do të vijë në pushtet pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare vitin e ardhshëm. Por Mickovski nga ana tjetër, u bëri ofertë për bashkëpunim partive shqiptare.

“Dera jonë është e hapur për partitë shqiptare dhe jemi të gatshëm për të biseduar edhe për koalicion parazgjedhor me partitë shqiptare dhe partitë e etniteteve të tjera në vend.”

Kreu i VMRO-DPMNE-së tha se nuk ka asnjë preferencë konkrete ose përjashtim nga partitë shqiptare dhe theksoi se nëse nuk arrihet marrëveshje para zgjedhjeve, atëherë do të jetë i gatshëm të ulet me të gjitha partitë shqiptare pas zgjedhjeve nëse i fitojnë ato.

Ndërkohë, kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi ka paralajmëruar se do të shpërbëjë Dhomën ligjvënëse më 11 shkurt duke hapur dilemën nëse vendi do të ketë Parlament funksional që të ratifikohet Protokolli për anëtarësim në NATO. Xhaferi tha se nuk ekziston mundësia që të thirret Kuvendi nëse ka nevojë të ratifikohet Protokolli për anëtarësim në NATO dhe për këtë, do të duhet të pritet parlamenti i ri.

Por kryeministri Zaev dhe kreu i opozitës maqedonase Mickovski kanë thënë se edhe nëse Kuvendi shpërbëhet, ai përsëri duhet të mblidhet për ratifikimin. Protokolli për anëtarësim në NATO duhet të ratifikohet në Parlamentin e Maqedonisë së Veriut pasi ratifikimi të kalojë në Parlamentet e vendeve anëtare të Aleancës.

Deri tani, Protokollin e kanë ratifikuar 26 shtete, ndërsa mbetet edhe Franca, Holanda dhe Spanja. Në Spanjë pritet ratifikimi të kalojë në dhjetor kur dhe do të konstituohet Parlamenti spanjoll./ABC News Albania

zjarre-kaliforni.jpg
ad min12:09 | 31/10/2019

Kalifornia vijon të digjet pa pushim, nga veriu në jug, ku me dhjetëra vatra zjarri vështirësojnë punën e zjarrfikësve. Sipas mediave amerikane dëmet ekonomike të deritanishme janë të pallogaritshme.

Në jug të Kalifornisë, vijon të jetë gjendje e jashtëzakonshme, për herë të parë, si pasojë e zjarreve pyjore që prej ditësh kërcënojnë zona të ndryshme të shtetit, duke shkaktuar evakuimin e më shumë se 200 mijë personave, mungesë të energjisë elektrike, si dhe shkatërrime shtëpish dhe ndërtesash të tjera.

Vetëm në Los Anxheles janë evakuuar më shumë se 7 mijë shtëpi. Kontetë e prekura nga zjarri përvec Los Anxheles janë dhe Ventura dhe San Bernardino. Flakët favorizohen dhe nga era që lëviz me një shpejtësi prej 128 kilometrash në orë.

Më në veri të Los Anxheles flakët kanë shkrumbuar më shumë se 30 mijë hektarë pyje dhe kanë shkatërruar 189 ndërtesa, dhe shtëpi. Deri tani është shuar vetëm 15 për qind e zjarreve, ndërsa rreth 2 milion persona janë pa energji elektrike dhe pa gaz.

Në metropol zjarri i shpërthyer përgjatë autostradës 405 mund të kërcënojë dhe Geti Center, muzeun e famshëm që mban vepra arti shumë të cmuara. Zjarri në këtë zonë ka shkatërruar të paktën 161 hektarë terren dhe autoritetet vendore urdhëruan evakuimin e detyruar dhe mbylljen e shkollave pranë muzeut.

Në veri të Kalifornisë, zjarri i ushqyer dhe nga erëra të forta me një shpejtësi deri në 160 kilometrave në orë, ka përfshirë një zonë prej 220 kilometrash katrorë.

Një tjetër zjarr ka shpërthyer dhe në Luginën Simi në juglindje të Los Anxheles, duke detyruar autoritetet të evakuojnë librarinë presidenciale Ronald Regan. Aty janë varrosur ish presidenti amerikan dhe ish-zonja e parë Nensi Regan.

Deputetja demokrate Aleksandria Okasio Kortez u shpreh se zjarret janë dëshmi për pasojat dramatike të ndryshimeve klimatike. Ndërkohë janë më shumë se 26 milionë personat e prekur nga shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme./ABC News Albania

tesi.jpg
ad min12:03 | 31/10/2019

Tesi Basho refuzon te përballet me Gjykatën e Krimeve të Rënda, ne seancën për rivlerësimin e masës së sigurisë të dhënë me herët nga togat e zeza arrest në burg. 38 vjeçari konsiderohet person me rrezikshmëri të lartë pasi ndaj tij rëndojnë një sërë akuzash. Vëllezërit Santilno dhe Tesi Bashko akuzohen se fundi për gjobvënie ndaj dajës së mamasë së tyre. 

I konsideruar si një person me rrezikshmëri të lartë Tesi Basho, i arrestuar në Vlore disa javë më parë, pasi akuzohet për disa vepra penale, duhej te paraqitej këtë të enjte në Gjykatën e Krimeve të Rënda për të bërë rivlerësimin e masës së sigurisë, dhe të përballej me pyetjet e togave të zeza.

Por 38-vjeçari ka refuzuar të merrte pjesë në seancë dhe ka autorizuar avokatin e tij me prokurë të posaçme. Prokurori i çështjes Anton Martini kërkoi që seanca të shtyhet pasi duke ju referuar Kodit të procedurës Penale i pandehur duhet që të jete i pranishëm në seancën për caktim të masës së sigurisë dhe të shprehet para gjykatës së nuk dëshiron të marrë pjesë në procesin gjyqësor që do të bëhet ndaj tij.

Gjyqtarja paraprake Liljana Baku vendosi që seanca të vijonte në mungesë të Tesi Bashos. Pas arratisjes nga burgu i sigurisë së lartë në Romë Tesi Basho hyri ilegalisht në Shqipëri dhe nisi aktivitetin kriminal.

Në 2017-n ai kërcënoi me jetë biznesmenin Sulejman Hoxha që është daja i mamasë së tij, të cilit i kërkonte 100 mijë euro. Me ndihmën e vëllait Santilno Basho arriti t’i merrte biznesmenit 20 mijë euro.

Takimet mes Hoxhës dhe Santilnos u përgjuan ndërsa momenti i marrjes së parave u fotografuan. Santilno Basha nuk u ndalua pasi Prokuroria, po e përdorte si karrem për të arritur tek i vëllai Tesi Basho.

Pas disa aksioneve te dështuara policore më i fundit një muaj më parë policia arrestoi dy vëllezërit. Gjykata e Torinos në vitin 2016 e ka dënuar Tesi Bashon me burgim të përjetshëm, për veprat penale “Vrasja”, “Shfrytëzim prostitucioni” dhe “Mbajtja dhe transportimi pa leje i armëve të zjarrit”.

Tesilvan Basho u arrestua bashke me vëllanë e tij më 16 tetor gjatë operacionit “Selenica” në Vlorë. Krahas  akuzave të rënda që ka në Itali ai po hetohet edhe për gjobvënie ndaj biznesmenit bashkë me vëllain.

Tesi Basho dyshohet  se ka marrë pjese në atentatin ku mbeti i plagosur Mikel Mehmeti në Janar të 2019 në qytetin e Vlorës, gjithashtu anëtari i bandës së “Llanajve” dyshohet të jetë autori i vrasjes së Laver Tozaj në Gusht të këtij viti./ABC News Albania

edi-rma.jpg
ad min11:44 | 31/10/2019

Sipas Partisë Demokratike Edi Rama tregon se antiligji është modeli i tij i qeverisjes, pasi vazhdon të mbrojë Agim Kajmakun edhe pasi prokuroria verifikoi zyrtarisht se ai ka shkelur ligjin e dekriminalizimit. Në një deklaratë për mediat këtë të enjte, ish-deputetja Dhurata Çupi se Rama ka tre ditë që ka marrë në mbrojtje kryebashkiakun e Vorës.

Deklarata e plotë:

Sot bëhen 3 ditë që Edi Rama është zyrtarisht në mbrojtje të Agim Kajmakut, i cili fshehu me qëllim arrestimin e tij në Greqi disa vjet më parë me emrin Jorgo Toto.

Edi Rama duhet ta kishte shkarkuar Agim Kajmakun që në momentin, kur prokuroria verifikoi zyrtarisht se ai kishte shkelur ligjin e dekriminalizimit, duke fshehur krimin për të cilin ishte arrestuar dhe ishte në kërkim në Greqi dhe në kërkim europian deri pak kohë më parë.

Duke mbajtur në detyrë një funksionar të lartë publik që shkel ligjin, që kryen vepra të rënda penale dhe mashtron qytetarët, Edi Rama tregon se antiligji është modeli i tij i qeverisjes.

Gjatë gjithë kësaj kohe, Edi Rama ka qenë në mbrojtje të Agim Kajmakut, edhe pse e dinte se ai ishte subjekt i ligjit të dekriminalizimit. 3 javë më parë, Edi Rama e mbrojti atë edhe publikisht.

Qendrimi i Edi Ramës në mbrojtje të një funksionari publik që e ka vendin në burg dhe jo në krye të një bashkie, tregon se Edi Rama dhe Agim Kajmaku ndajnë të njëjtin moral. Për ta ligji nuk ka vlerë, kur cënon pushtetin e tyre.

Duke kandiduar persona me të kaluar kriminale, si në Shkodër, Vorë apo Vaun e Dejës, Edi Rama dëshmon se nuk ka ndërmend të marrë seriozisht plotësimin e 9 kushteve të Bundestagut, që është e vetmja rrugë për të hapur derën e mbyllur të Europës për të katërtën herë radhazi.

Marrja në mbrojtje e Agim Kajmakut, siç ka bërë më çdo kriminel tjetër që ka futur në politikë, dëshmon, gjithashtu, se Edi Rama as nuk ka bërë ndonjëherë shtet, as nuk ka ndërmend të respektojë shtetin ligjor.

Në shtetin e Edi Ramës ligji nuk është i barabartë për të gjithë. Njësoj si në “Fermën e kafshëve” të Orwellit, kriminelët e Edi Ramës, janë më të barabartë se qytetarët e zakonshëm. Ata janë të paprekshëm, veçanërisht nëse janë politikanë apo klientë biznesi të Edi Ramës.

Fshehja pas vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve është një qëndrim prej burracaku i Edi Ramës. Ai e di shumë mirë se, siç thotë Zëri i Amerikës, për Agim Kajmakun nuk ka shpëtim.  Edi Rama e di, po aq mirë, se shumë shpejt do t’i vijë radha edhe atij!/abcnews.al

merlin_163595547_6a57bfd1-7fbf-4f64-8fad-08e109ac262b-articleLarge.jpg
ad min11:30 | 31/10/2019

Zjarri ka shkrumbuar plotësisht kështjellën Shuri në Japoni, pjesë e trashëgimisë së UNESCO-s. Autoritetet nuk dhanë arsye për rënien e zjarrit mëngjesin e të enjtes, por konfirmuan se nuk ka të plagosur.

Është shkatërruar plotësisht nga zjarri ndërtesa kryesore e kështjellës së Okinaua, pjesë e trashëgimisë së UNESCO, dhe e konsideruar si trashëgimi e njerëzimit. Autoritetet japoneze konfirmuan se zjarri, shkaku i të cilit nuk dihet ende, shpërtheu në orët e para të së enjtes dhe zjarrfikësit nuk arritën ta shuajnë dhe pse mbërritën menjëherë në vendngjarje. Policia deklaroi se nuk ka të plagosur

Kështjella antike Shuri është një nga pikat kryesore turistike në ishullin në juglindje të arqipelagut dhe i përket mbretërisë Riukiu, e cila sundoi territorin për 450 vjet, para integrimit të Okinaua nga pala japoneze në vitin 1879.

Dhe pse kështjella u dëmtua shumë gjatë bombardimeve amerikane gjatë luftës së dytë botërore, kompleksi u restaurua pjesërisht dhe u hap për publikun si pjesë e një parku kombëtar në vitin 1992. Në Dhjetor të vitit 2000 u shpall trashëgimia e 11-të e njerëzimit në Japoni./ABC News Albania

nikolica.jpg
ad min11:27 | 31/10/2019

Reshjet intensive gjate mbrëmjes se të mërkurës kanë fikur plotësisht të gjitha vatrat e zjarrit që ishin aktive prej katër ditësh. Policia e Devollit ka referuar në Prokurori materialet për ngjarjen pa autore të cilën e ka klasifikuar si të qëllimshme.

Burime nga grupi hetimor i thane Abc News se dyshimet për zjarrvënie shkojnë tek barinjtë që hapin kullota ose kondrabandistët e lëndës drusore dhe qymyrit të drurit. Deklarimet e banorëve dhe barinjve të zonës nuk e kanë çuar policinë drejt zbulimit të personave që i vunë zjarrin pyllit qe ka statusin e zonës së mbrojtur.

Zjarri i fuqishëm që përfshiu prej të dielës masivin pyjor të Nikolicës dogji rreth 50 ha pyll me pishë, dushk dhe bimësi të ulet./ABC News Albania

valdete-daka.jpg
ad min11:09 | 31/10/2019

Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Kosovë, Valdete Daka, tha në një intervistë për RTK-në, se certifikimi i rezultatit të zgjedhjeve të 6 tetorit, mund të mos përmbyllet deri në fillim të dhjetorit për shkak të ankesave të subjekteve politike. Ndërkohë që vazhdojnë bisedimet midis Vetëvendosjes dhe LDK-së për qeverinë e re, një ngërç tjetër duket në sfond që ka të bëjë me postin e Presidentit, për të cilin, LDK, kërkon që të jetë pjesë e paketës për bashkëqeverisje.

Kryetarja e KQZ-së në Kosovë, Valdete Daka, tha në një intervistë për mediat në Kosovë se nuk ka ndonjë datë se kur mund të çertifikohet rezultati i zgjedhjeve të 6 Tetorit në Kosovë, për shkak të ankesave që vazhdojnë të bëhen nga partitë politike, për numërim apo rinumërim votash.

Zonja Daka nënvizoi se ky është një problem që duhet të rregullohet në mënyrë që ankimimet të mos vazhdojnë pa limit. Kryetarja e KQZ-së pohoi se certifikimi i rezultatit zgjedhor mund të zgjasë madje deri në fillim të Dhjetorit.

Ndërkohë, Vetëvendosje dhe LDK vazhdojnë bisedimet për bashkëqeverisje përmes grupeve punuese. Por duket se edhe në këtë pikë, mund të ketë një ngërç që ka të bëjë me kërkesën e LDK-së për një marrëveshje paraprake për postin e Presidentit, si pjesë të bashkëqeverisjes me Vetëvendosjen. Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri tha se kryetari i kësaj partie, Isa Mustafa, është personi i duhur për të qenë President i Kosovës.

Synimi i Vetëvendosjes dhe LDK-së është që të krijojnë një qeveri me 12 apo maksimumi 15 ministri. Mbetet të shihet nëse partia që merr postin e kryeministrit, Lëvizja Vetëvendosje, do të marrë edhe postin e kryetarit të Kuvendit apo do t’ia lirojë LDK-së. Për këto tema, bisedimet do të kalojnë te liderët politikë.

Në funksion të arritjes së marrëveshjes dhe bashkëqeverisjes ishte edhe takimi i zhvilluar ndërmjet kandidatit aktual të vetëm për kryeministër, Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit të LDK-së. Kurti shkroi në Facebook pas takimit se Kosova do të dalë nga kriza dhe do të përparojë.

/abcnews.al

51061000_303.jpg
ad min10:57 | 31/10/2019

Të paktën 73 persona mbetën të vrarë dhe dhjetëra të tjerë u plagosën si pasojë e një zjarri të shpërthyer në një tren pasagjerësh në Pakistan.

Zjarri u shkaktua nga një rrjedhje gazi, nga një furnellë e vogël që pasagjerët po përdornin për të gatuar mëngjesin në bordin e trenit. Kryeministri i vendit shprehu ngushëllimet e tij për jetët e humbura dhe u bëri apel autoriteteve të ndihmojnë të prekurit.

Zjarri përfshiu tre vagonë ku udhëtonin 200 persona, dhe bilanci i viktima vijon të ndryshojë në mënyrë tragjike./ABC News Albania

concorsi-concorsi-polizia.jpg
ad min10:54 | 31/10/2019

Pasditen e së mërkurës policia italiane në Ankona arrestoi një të ri shqiptar, i cili me automjetin e tij luksoz gjendej pranë një qendre tregtare, gati për të dorëzuar një sasi të konsiderueshme kokaine.

Pas kontrollit që iu u bë në automjet agjentët e policisë panë se ai kishte dhe djalin 4-vjeçar me vete, ndërsa vlera e kokainës ishte 8 mijë euro. Gjithashtu policia sekuestroi dhe 700 euro cash./abcnews.al

policia-compressor-1-1.jpg
ad min10:39 | 31/10/2019

Dy gra kanë përfunduar në pranga nga Policia e Shkodrës për shkak se akuzohen për gjobëvenie. Sipas policisë Ersada Fregjaj 28 vjeçe dhe Merita Bregu 46 vjeçe të dyja nga Velipoja, kanë kanosur dhe i kanë kërkuar 500 mijë lekë një gruaje tjetër. Policia sapo mori denoncimin organizoi operacionin për arrestimin e grave. Sipas policisë midis të arrestuarave dhe denoncueses ka patur një konflikt për motive të dobëta.

Njoftimi i policisë Shkodër:

Finalizohet operacioni policor i koduar “Truma”

Arrestohen në flagrancë 2 shtetase për veprën penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”.

Nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, në bashkëpunim me Prokurorinë e Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë, pas një pune të mirëorganizuar, u bë finalizimi i operacionit policor të koduar “TRUMA”, si rezultat i të cilit është bërë arrestimi në flagrancë i shtetaseve:

E. F. 28 vjeçe, banuese në Velipojë, Shkodër dhe M. B. 46 vjeçe, banuese në Shkodër.

Kapja dhe arrestimi i tyre u bë pasi në lagjen “Vasil Shanto”, në vendin e quajtur “Truma”, në bashkëpunim me njëra-tjetrën, nëpërmjet kanosjes, i kanë marrë shumën 50 000 lekë një shtetaseje.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua shuma 50 000 lekë dhe dy aparate celulare.

Materialet iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë, për veprën penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë” e kryer në bashkëpunim./abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono