ad min

kamza.jpg
ad min13:12 | 11/12/2019

Kamza u përjashtua vjet nga Kategoria Superiore, pasi në ndeshjen me Laçin u dhunua arbitri Eldorian Hamiti. Komisioni i Disiplinës vendosi ta zbriste në Kategorinë e Dytë, ku skuadra periferike e kryeqytetit garon këtë sezon futbollistik.

Presidenti Naim Qarri e ka shprehur edhe më parë se e ka të pamundur klubin, ndërkohë që Bashkia në krahun tjetër ka qenë indiferente. Ekipi u ndërtua vetëm pak ditë para nisjes së kampionatit, ndaj edhe rezultatet janë të dobëta.

Jo vetëm kaq, por edhe numri i lojtarëve të Kamzës është i vogël, çka ka bëtë që në sfidën e djeshme kundër Vorës ta nisin me 9 futbollistë. Një ngjarje e paprecedentë, që tregon edhe njëherë problematikat e shumta që kanë klubet e futbollit në vendin tonë. /abcnews.al

biletat.jpg
ad min12:26 | 11/12/2019

Partizani-Tirana, e programuar të zhvillohet të premten prej orës 19:00 në “Air Albania Stadium”, përballet me një problematikë që lidhet me ndarjen e sektorëve të stadiumit për tifozeritë e të dyja klubeve.

Klubi i Partizanit ka vendosur në dispozicion të bardhebluve tribunën “Vasillaq Zëri”, që është në krahun jugor të stadiumit, kurse tribunat e tjera janë programuar të jenë për tifozët e Partizanit. Tirana do krahun verior, tribunën “Fatmir Frashëri”.

Momentalisht nuk ka një dakordësi, por sigurisht për ndarjen e sektorëve është klubi i kuq, si organizator, ai që vendos. Policia e Shtetit gjithashtu nuk është dakord me ndarjen e menduar dhe nuk e merr përsipër garantimin e rendit. Kështu te Partizani do të duhet të mendohen mirë.

NJOFTIMI PËR BILETAT – Klubi i Partizanit ndërkohë ka dalë me një njoftim në lidhje me çmimet e biletave, që variojnë nga 500 në 5000 lekë.  “Ju njoftojmë se për këtë takim çmimet e biletave në tribunat respektive të “Air Albania Stadium” do të jenë:

Biletat në Tribunat Qendrore:
Sektori:
VIP GOLD W104 do të kushtojnë 5 000 Lek (të reja)
Sektorët: W103, W105 do të kushtojnë 4 000 Lek (të reja)
Sektorët: W101 , W102, W106 do të kushtojnë 3 000 Lek (të reja)

Biletat në Tribunën përballë:
Sektorët:
E103, E104, E105, E106, E107, E204, E205, E206, E207, E208 do të kushtojnë 1 500 Lek (të reja)
Sektorët: E201, E202, E203, E101, E102, E108 do të kushtojnë 1 000 Lek (të reja)
Sektorët: Nga N201 deri N207 dhe N101 deri N106 do të kushtojnë 500 Lek (të reja)
Sektorët:S102, S103, S104, S203, S204, S205, V101, V102, V103, V201, V202 do të kushtojnë 500 Lek (të reja)

Biletat do të mund t’i siguroni duke filluar nga dita e sotme e në vazhdim ora 10:00 deri 19:00 pranë pikës së shitjes, në stadiumin “Selman Stërmasi”. Gjithashtu Biletat mund t’i gjeni pranë dyqanit zyrtar të FSHF “Macron”, pranë Ambasadës Amerikane, si edhe pranë dyqanit “Joma” Sponsori Teknik i skuadrës, i pozicionuar pranë Godinës “ETC” te Rruga e Elbasanit. /abcnews.al

kaaaaaaaa.jpg
ad min09:08 | 08/12/2019

Një grup studentësh nga Tetova kanë organizuar një aksion për mbledhjen e ndihmave për të prekurit e tërmetit në Shqipëri.

Pasi kanë grumbulluar rroba, produkte ushqimore dhe sanitare si dhe para, ato tashmë i kanë dorëzuar këto para në Fondacionin Firdeus të Elvis Naçit, shkruan Albeu.com.

Fillimisht në ditët e para studentët kanë dërguar produktet ushqimore dhe veshmbathjet, ndërsa sot të njëjtit kanë takuar Elvis Naçin për ti dhuruar 8940 euro.

Studentët në fjalë thonë se kanë qenë të akuzuar padrejtjësisht për mostransparencë në lidhje me mjetet e mbedhura.

“Ne e bëmë një vepër të mirë, turpi i ngelet atyre që na akuzuan” ka deklaruar Abedin Kaliqi, njëri ndër organizatorët.

 

eyoh.jpg
ad min09:50 | 07/12/2019

Jetojmë në epokën e internetit, në epokën ku çdo adoleshent apo i rritur mund të të dërgojë mesazhe kërcënuese. Pre e një mesazhi të tillë ka rënë edhe Micheal Effiong Eyoh, anësori nigerian i Shkumbinit.

Vetë lojtari e ka publikuar mesazhin në llogarinë e tij në “Instagram” dhe përgjigja është e qartë: “Kërcënime boshe. Për këtë do t’u shënoj dy gola”, shkruan Eyoh, i cili ka provuar të luajë edhe në Superiore me Laçin, sikurse edhe në të Parën me Dinamon dhe Turbinën. /abcnews.al

Mesazhi që ka marrë Eyoh, publikuar në “Panorama Sport”
edi-rama-123-1.jpg
ad min11:10 | 24/11/2019

Politika nuk i braktis dot stadiumet dhe sportin. Fundja as klubet e futbollit nuk po i dorëzon. Shumica e tyre financohen nga bashkitë dhe normalisht edhe tribunat VIP shpesh herë pushtohen nga politikanët. Ka ndodhur shpesh që edhe nga shkallët të ketë parulla dhe thirrje politike.

Shqipëri-Francë është ndeshja më e fundit ku u dëgjuan thirrjet “Rama ik”. Tashmë ishte radha që e njëjtë gjë të ndodhte edhe në një ndeshje të Kategorisë Superiore.  Në Korçë, gjatë takimit Skënderbeu-Tirana, janë dëgjuar thirrjet “Rama ik”.

Në minutën e 54-t, dëgjohen qartazi thirrjet e tifozëve, të cilët me shumë mundësi janë edhe militantë të Partisë Demokratike. E gjitha kjo është e “dokumentuar”, pasi është dëgjuar edhe gjatë transmetimit direkt në Supersport. / abcnews.al

Duka-Reja.png
ad min13:11 | 20/11/2019

Edi Reja takohet me Armand Dukën dhe arrijnë marrëveshje për kontratën e re me kombëtaren. Italiani do të vazhdojë me të njëjtën rrogë, ndërsa do të ketë një klauzolë në rast kualifikimi për në Botëror. Takimi mes tyre në Durrës ishte i planifikuar që më parë.

Kreu i futbollit shqiptar dhe trajneri italian, i dhanë dorën e fundit marrëveshjes për një kontratë të re në stolin e Shqipërisë, ndërsa kushtet mbeten po ato që ishin më parë. Presidenti i FSHF-së, siç e ka zakon, as nuk deshi të vepronte në emocion e sipër, dhe as nuk i la gjërat të zvarriteshin.

Përfundimi ishte akordi me trajnerin italian, për një periudhë të dytë në kombëtare, që do të përfshijë Ligën e ardhshme të Kombeve dhe eliminatoret e Kupës së Botës, diçka që Duka pak a shumë e kishte paralajmëruar në Emisionin “Pressing” në Abc News. Mërzitja e vetme e Dukës ishte për barazimin me Andorrën, rezultat që pohoi se e përjetoi keq.

Kontrata do të ketë një klauzolë, sipas së cilës Reja do të drejtojë përfaqësuesen në finalet e Botërorit, nëse Shqipëria kualifikohet, ndryshe palët mund të ndahen në mars 2022, kur përfundojnë eliminatoret e zonës europiane.

Shifrat janë 22-23 000 euro në muaj, dhe totali arrin në 600 000 euro, ndërsa do të shtohet edhe me rreth 100 000 euro të tjera, nëse Reja do të jetë në detyrë deri në qershor 2022.

Shpërblimi në rast arritje të Botërorit është ai që iu dha edhe De Biazit: 200 000 euro. Burime pranë Dukës bëjnë me dijë se nuk ka pasur asnjë vështirësi për t’u marrë vesh nga ana financiare.

Informacioni është se me Rejën ka qenë shumë më e lehtë sesa me De Biazin, i cili pati pretendime për rrogën sidomos pas kualifikimit për në Europian.

Shqetësimi i vetëm i të dyja palëve mbetet mosha e trajnerit, pasi ai sot është 74 vjeç, dhe as Federata dhe as vetë Reja nuk dëshirojnë të bëjnë plane afatgjata, që mund të prishen nëse shëndeti nuk do të ishte i duhuri, gjë që mund t’i pengonte seriozisht. /abcnews.al

ilnica.jpg
ad min12:22 | 17/11/2019

Shqipëri-Francë ka sjellë problematika të ndryshme, tipike të ndeshjeve të mëdha. Për të gjetur një biletë nuk ka qenë aspak e lehtë, pasi një pjesë të mirë të tyre i kanë marrë firma të ndryshme private dhe institucione shtetërorë. Sigurisht shumëkush i ka gjetur me mik, shkurt shqiptarçe.

Veç tifozëve, edhe gazetarët kanë hasur probleme me akreditimet. Zyra e Shtypit në FSHF pat njoftuar se do të ketë nga një gazetar sportiv për media dhe shumëkush ka mbetur pa u akredituar. Kërkesat kanë qenë të larta, nga vendi ynë dhe nga Franca.

Një prej atyre që nuk është akredituar është edhe gazetari sportiv Eduart Ilnica, aktualisht pjesë e Klan Plus. Për mes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, ai ka akuzuar personat përgjegjës në FSHF. Në fakt nuk është kursyer aspak.

POSTIMI I PLOTË – “Për zarat dhe sahanlëpirësit në FSHF… Sonte, në përurimin e stadiumit të ri, do të shohim njerëz nga më të ndryshmit për të qenë në qendër të vëmendjes, normale mendoj në një botë komerciale… Nuk i hyj me emra përveçëm, secili ka gjetur mikun dhe dëshiron të jetë prezent në këtë eveniment. Është e drejta e gjithkujt dhe një ego mëse normale… Por të lësh gazetarët e fushës (sportit) jashtë, në një stadium ku numri i gazetarëve është më i lartë se kurrë në vendin tonë, është vërtet për të ardhur keq. Dhe një ndër ta, jam edhe unë…

Prej 18 vitesh gazetar sportiv, madje para se vetë Duka të merrte mandatin e parë, platformën e të cilit për herë të parë e kam botuar në gazetën ku isha i punësuar asokohe. Nuk kam gjë me Dukën në këtë rast (kritikat apo përgëzimet i kam bërë publike me kohë), por me zarat dhe sahanlëpirësit e FSHF-së, me njerëzit që merren me akreditimet apo rezervimet.

Ironia e fatit qëndron se në ndeshjen testuese dhe në ndeshjen ndaj Andorrës, këta miushë të akreditojnë (natyrisht kanë bërë detyrën, siç unë kam shkuar për të bërë punën), ndërsa për përballjen me Francën, zarat të thonë “jo”, edhe pse aplikimi është bërë konform rregullave dhe afatwve.

Ju them këtyre sahanlëpirësve se, sa orë keni ju në FSHF, unë kam shkrime, kronika, analiza e komente rreth futbollit. I akredituar në stadiume si “Stade de France” (pra Francën e kam parë dy herë atje), në Oslo dhe ndonjë tjetër (nuk po flasim për stadiumet tona), zarat e FSHF-së nuk më akreditojnë në stadiumin e ri…

Të kuptohemi, nuk është çështja thjesht për të hyrë në stadium, sepse asnjë zar nuk më pengon dot, ndeshjen do ta shoh te “Hallexhinjtë”, por ca njerëz bëhen më katolikë se Papa. Dhe në fund Duka këta njerëz i ka një përdorimesh… Do të vazhdoj misionin tim, brenda, anash stadiumit apo jashtë tij, sepse nuk ka zar dhe sahanlëpirës të më pengojë…FORCA SHQIPËRI!”, shkruan Ilnica. /abcnews.al

Albani-1280x721.jpg
ad min21:41 | 16/11/2019

Arena Kombëtare priti Shqipërinë dhe Francën në seancat e para stërvitore. Pak orë para zhvillimit të ndeshjes së Europianit mund të thuhet se gjithçka është gati, ndonëse punime të vogla ende vazhdojnë.  “Arena Air Albania”, e njohur në publik si Arena Kombëtare, mund të thuhet se është gati për të pritur ndeshjen Shqipëri-Francë në Euro 2020.

Pas më shumë se 3 vjet punimesh, gjithçka thuajse ka mbërritur në cakun e fundit, edhe pse nuk qe e mundur që kjo shtëpi e re e futbollit shqiptar të ishte e rregulluar, e pastruar dhe me të gjitha orenditë në vendin e vet. Në pjesën e jashtme, edhe pse sheshi është gati, nuk kanë përfunduar punime anësore për gardhet, trotuaret dhe vendosjet e pllakave.

Makineritë dhe punëtorët, edhe pse shumë më të paktë, dhe të zhvendosur më lart fasadës, sërish duhet të jenë aty. E gjitha kjo do të kërkojë edhe pak kohë, dhe nga e mërkura, e premtja, apo edhe paraditja e së shtunës, tani afatet janë shtyrë përgjatë natës apo mëngjesin e së dielës.

Gjithsesi, janë larguar të gjitha skelat dhe pjesa dërrmuese e mjeteve teknike, ndërsa ka përfunduar vendosja e pllakave në shesh, pastrimi i tij përfundimtar, si dhe është shtruar asfalti, ndonëse nuk ka qenë e mundur të bëhen vijëzimet. Natyrisht, nuk ka asgjë të jashtëzakonshme këtu. Stadiume legjendarë si “Wembley” i Londrës kanë provuar vonesa disavjeçare, për shkak të gjyqeve dhe problemeve financiare.

Natyrisht, pjesa e brendshme, ajo sportive, ishte në rregull më përpara. Fusha ishte e përfunduar, e vijëzuar dhe e korrur prej ditësh, ndonëse përpunimi i saj vazhdoi deri në fund. Besohet se pjesa jugore, ajo pranë portës, nuk do të sjellë shqetësime gjatë ndeshjes me Francën, dhe për fat nuk parashikohen as reshje shiu.

Vonesat më të mëdha në brendësi ishin tek bari dhe restoranti, apo tek lozhat VIP. Edhe të shtunën në drekë apo pasdite vonë, sërish nuk kishin përfunduar hedhja e llaçit për të mbuluar plotësisht dyshemenë. Sidoqoftë, Arena është diçka e bukur, me kombinimin e ngjyrave të ulëseve, të tribunave dhe me gardhet prej qelqi që përballojnë presion të madh.

Çdo gjë është kontrolluar edhe një herë, përfshi edhe kamerat e sigurisë, qendrën e zërit, përforcuesit e zërit. Po ashtu, sistemi I hyrje daljeve në stadium, masat e sigurisë, zona e gazetarëve dhe ajo e transmetimit televiziv. Një stadium që mund të ketë kushtuar nga 30 deri në 35 milionë euro (pjesa tjetër I përket kullës dhe shitoreve), nuk mund të pranohet të ketë mangësi.

Salla e konferencave priti për herë të parë trajnerët dhe kapitenët, fillimisht Edi Rejën dhe Elseid Hysajn e Shqipërisë, dhe pas një ore edhe Rafael Varane e Francës, menjëherë pas tij edhe trajnerin Didie Deschamps. Gazetarët shqiptarë nuk është se mbetën shumë të kënaqur nga sasia e pyetjeve që arritën t’u bënin kampionëve të botës.

Si shpesh, herë ne jemi më mikpritës sesa duhet me të huajt, që u ndjenë si në shtëpinë e tyre. Nuk mungoi kaosi i herës së parë për itinerarin e lëvizjes brenda stadiumit të gazetarëve e kameramanëve. Sidoqoftë, të gjitha këto do të harrohen, ndërsa kënaqësia ishte e madhe për seancën e parë historike të ekipit kombëtar në tapetin e “Arenës Air Albania”. Po ashtu, historik fakti se përurimi zyrtar u bë nga kampionët e botës në fuqi, “gjelat” e Francës. /abcnews.al

AKSIDENTET-RRUGORE-NE-TETOR.mpg_snapshot_00.01-1280x720.jpg
ad min23:51 | 15/11/2019

Aksidentohet presidenti i klubit të Superiores, Ardjan Takaj. Kreu i klubit të Skënderbeut ka qenë duke udhëtuar nga kryeqyteti drejt Durrësit, së bashku me bashkëshorten, dhe është përfshirë në një aksident me tre makina të tjera.

ABC News mëson se nuk ka pasoja të rënda, përveç dëmeve që ka pësuar makina tip Benz ML e Takajt. Asgjë për t’u shqetësuar, sigurisht përveç frikës së krijuar në momentin e aksidentit. / abcnews.al

syri-i-kalte3r.jpg
ad min15:29 | 31/10/2019

Ministria e Financave dhe Ekonomisë do t’i japë me qira privatit për 10 vjet  “Syrin e Kaltër”.  Abc News ka mësuar se ky vendim nuk është konsultuar me Agjencinë e Zonave të Mbrojtura ndonëse kjo është një zonë e mbrojtur.

“Syri i Kaltër” do t’i jepet me qira një kompanie private për dhjetë vjet. Ministria e Financave dhe Ekonomisë e ka njoftuar në faqen e Agjencisë së Prokurimit Publik.  “Syri i Kaltër” është një zonë e mbrojtur, por pavarësisht kësaj burimet i thane Abc News se ministria nuk e ka konsultuar këtë vendim me Agjencinë e Zonave të Mbrojtura.

Kompania private që do ta marrë me qira “Syrin e Kaltër” do të vendose atje pesë kabina druri me sipërfaqe 470 metra katrore.  Për këtë, vlera minimale që do t’i paguajë shtetit është shtatëdhjetë e dy mijë e pesëqind lekë/në muaj.

“Kjo pasuri natyrore e vendit  jepet me qira me qëllim ushtrimin e veprimtarie ekonomike e cila lë gjenerojë të ardhura për punësimin e banorëve të zonës. Ajo duhet të ruajë destinacionin fillestar, atë të ushtrimit të veprimtarisë në fushën e akomodimit turistik”,  thuhet në njoftimin e publikuar në faqen e Agjencisë së Prokurimit Publik.

Aktualisht zona që do të jepet me qira është nën menaxhimin e kompanisë “Albturist T.O sh.a” një kompani në pronësi të Ministrisë së Financave.

Pse një pasuri e tillë natyrore si “Syri i Kalter” që gjeneron të ardhura të konsiderueshme financiare nuk mund të menaxhohet nga shteti, por duhet ti jepet me qira privatit?

Abc News kërkoi një shpjegim nga Ministria e Financave, por nuk mori përgjigje.  Ndërkohë vetëm pak kohë më parë Ministri i Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi deklaroi se pika turistike e “Syrit të Kaltër” po degradohej.

Shkak për këtë ishte mënyra e vjetëruar e menaxhimit dhe trajtimit. Klosi gjithashtu bëri me dije se ministria ka përgatitur dhe një projekt të ri që do të zbatohet në vitin 2020. Por a parashikon ky projekt dhënien me qira të “Syrit të Kaltër” siç njoftuan financat apo diçka tjetër mbetet të shohim./ABC News Albania 


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono