Athinë, anarkistët përleshen me policinë, pranga shqiptarit

17:00 | 01/08/2019

Një 17-vjeçar shqiptar është arrestuar në Greqi pasi ishte bashkuar me grupet anarkiste, të cilat natën mes së mërkurës dhe së enjtes u përleshën me policinë në qendër të Athinës.

Një i ri shqiptar dhe një shtetas grek janë arrestuar pas përleshjeve midis anarkistëve dhe forcave të policisë në Athinë, duke u gdhirë e enjte. Rreth 30 persona me fytyra të maskuara hodhën bomba molotov dhe gurë kundër forcave të policisë që operojnë në zonën Eksarkia. 17 vjeçari shqiptar dhe 40 vjeçari grek po mbahen në paraburgim dhe pritet të dërgohen në prokurori për t’iu komunikuar akuzat. Përleshjet filluan pas një tubimi të anarkistëve për të protestuar ndaj lirimit para kohe nga burgu të një ish polici, i akuzuar për vrasjen e adoleshentit Aleksandros Grigoropoulos, në dhjetor 2008. Ishte vrasja që shkaktoi trazirat më të dhunshme në Athinë e qytete të tjera të vendit, ku për tri ditë e netë u kryen vandalizima dhe plaçkitje në dhjetra objekte në qendër të kryeqytetit. Si autor i vrasjes u arrestua dhe u dënua me burgim të përjetshëm EPAMINONDAS KORKONEAS. Por në proceset e vazhdueshme gjyqësore, dënimi u reduktua në 13 vjet dhe Korkoneas doli nga burgu, duke përfituar edhe nga klauzolat favorizuese të kodit të ri penal.

Nxjerrja nga burgu e ish-policit e ka ndarë më dysh opinionin. Nga njëra anë qytetarët habiten se si dikush që vrau pa shkak një adoleshent, gati fëmijë, lihet i lirë pas 11 vjetësh. Dhe nga ana tjetër, qarqet juridike që pretendojnë se vendimi bazohet në kodin penal dhe rrjedhimisht ka legjitimitet. /ABC News Albania 24/7



Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F




Kontakt

Telefono