Argjentina në ditën e së vërtetës

13:59 | 26/06/2018

Argjentina ka sot ditën e së vërtetës në Botëror. I duhet të fitojë ndaj Nigerisë për të mos u eleminuar përpara kohe, dhe të gjithë i kanë sytë nga Lionel Messi.

Është kundërshtari i preferuar, por a do të jetë sërish?

Argjentina ka fituar katër në 4 ndeshje ndaj Nigerisë në Kupën e Botës, me Messin që shënoi 2 gola në 2014, por gjithsesi, sot luhet një sfidë e re. Argjentinasit u vendosën në Shën Peterburg të ndërgjegjshëm për trysninë e madhe që kanë mbi vete.

Për të krijuar sado pak atmosferë çliruese, ata dolën dhe takuan tifozët përpara hotelit. Përgatitjet u përpoqën të ishin ato të duhurat dhe pritet të ketë ndryshime në formacion, me Agueron që ndoshta e nis nga stoli.

Shpresat e gjithë kombit janë tek Lionel Messi, që ka premtuar të udhëheqë ekipin drejt suksesit. Për trajnerin Sampaoli u tha se ai pati rebelim nga lojtarët.

“Ishte një javë e vështirë për ne, pas humbjes me Kroacinë. Kjo na vuri me shpatulla pas murit, pasi duhet të fitojmë patjetër me Nigerinë që të kemi shans për kualifikim. Nuk dua të komentoj lajmet që dolën për ne, pasi detyra ime është që të përgatis skuadrën për ndeshjen. Jam i bindur se Argjentina do të japë maksimumin për të fituar”.

Trajneri i Nigerisë, Gernot Ror, është gjithashtu me shpresë, me ekipin e tij që mund të kualifikohet edhe me barazimin.

Gjermani 64-vjeçar pyetet për mënyrën sesi do ta kërkojë këtë.

 “Nuk mund t’iu jap planin tim të saktë të lojës. E vetmja gjë që mund të them është që ne do të luftojmë fort. Nuk do të jetë e lehtë ndaj Argjentinës, së cilës i duhet fitorja. Ndoshta një barazim na mjafton, por nuk ka siguri, ndaj edhe ne duam që të fitojmë”.

Kombinimet janë që Argjentina kualifikohet nëse fiton ndaj Nigerisë dhe nëse Kroacia mund apo barazon me Islandën. Po ashtu, nëse Argjentina fiton thellë, dhe Islanda arrin sukses më të vogël.

Barazimi në të dy ndeshjet, kualifikon Nigerinë, e cila kualifikohet edhe nëse fiton. Pra, rëndësi ka edhe ndeshja Kroaci-Islandë në Rostov. Trajneri i Kroacisë, Zllatko Daliç, premtoi se skuadra e tij do të luajë për fitore, për të bërë një Botëror të ndershëm.

Ai nuk deshi të bënte krahasime me Kroacinë e vitit 1998 që doli e treta në botë, duke thënë se dy breza të kohëve të ndryshme nuk mund të krahasohen. Gjithsesi, Daliç u shpreh me besim tek lojtarët e tij dhe shpreson të arrijë të njëjtin sukses si në 1998.

Shumë simpatik, ndërkaq, trajneri i Islandës, Heimir Halgrimson. Ai e krahasoi Kupën e Botës me festivalin europian ku Islanda kurrë nuk ka arritur në finale, por ku gjithnjë ka shpresë. Për të, islandezët do të jenë optimistë dhe do të përpiqen të kënaqen./abcnews.al


Lini koment

E-maili nuk do te publikohet. Duhen plotesuar *


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F




Kontakt

Telefono