Arena Kombëtare si “Bernabeu” për 1 mln euro më shumë

schedule18:32 - 10 Mars, 2019

schedule 18:32 - 10 Mars, 2019

Federata Shqiptare e Futbollit i ka kërkuar 1 milionë euro shtesë qeverisë për një ndryshim në projektin e Arenës Kombëtare. Federata donte që stadiumi i Tiranës t’i ngjante “Santiago Bernabeut” të Realit.

Shumë dëshira nuk janë që në fillim, por dalin edhe rrugës. Një e tillë ishte ajo e Federatës Shqiptare të Futbollit, që “Arena Kombëtare” të kishte një element shtesë, në krahasim me projektin, që ta afronte me stadiumin e ardhshëm të Realit të Madridit.

Burime në Federatë tregojnë për ABC News se dëshira e re e drejtuesve ishte që Arena të kishte një ekran rreth e përqark stadiumit, në pjesën mbi tribunat dhe nën mbulesë, tek e cila do të transmetoheshin vazhdimisht pamje filmike që të kishin lidhje me ndeshjen apo aktivitetin që do të mbahej aty.

Një të tillë e ka projekti për “Santiago Bernabeun” e ri, që është prezantuar nga presidenti madrilen, Florentino Perez.

Ky investim shtesë ishte llogaritur në 1 milionë euro më shumë nga preventive. Mësohet se presidenti i Federatës, Duka, ia ka kërkuar këto para kryeministrit Rama, në një nga takimet e shpeshta që kanë pasur dhe që nuk kanë qenë gjithnjë takime formale pune.

Sidoqoftë, kryeministri nuk ka dashur të japë 1 milionë euro të tjera për stadiumin, madje nuk ka dëgjuar të kthejë edhe rreth 2 milionë eurot e TVSH-së, që Federata i kërkon.

Për TVSH-në, palët janë në Gjykatën Administrative dhe drejtuesit e futbollit janë të bindur se gjyqin do ta fitojnë ata./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!