Arben Rakipi: Gabimi që po bëhet me gjyqtarët dhe prokurorët në Vetting

21:08 | 17/05/2019

Ish-Prokurori i Përgjithshëm, Arben Rakipi, ishte i ftuar këtë të premte në emisionin “Provokacija” nga Mustafa Nano. Si një ndër autorët e kësaj reforme, Rakipi ka treguar se disa gjëra nuk kanë shkuar ashtu siç i kishte menduar në fillim.

Sipas tij, gjyqtarët e organeve të Vettingut po kufizojnë trajtimin e këtij fenomeni në elementë të thjeshtë aritmetikë, pra duke u bazuar vetëm në faktorë ekonomikë. Rakipi nënvizoi se për shkak të mungesës së eksperiencës tek anëtarët e organeve të Vettingut po çohet në fshirjen ose mohimin total të kontributeve të gjyqtarëve.

“Si çdo proces shumë gjëra varen nga individët, eksperienca e të cilëve është deçizive në trajtimin me sukses të një procesi të tillë. Nuk kisha menduar asnjëherë që këta individë, me ato eksperienca që kanë do ta kufizonin trajtimin e këtij fenomeni, ose këtij fenomeni me elementë të thjeshtë aritmetikë të parëndësishëm, anësorë dhe të mos merreshin me thelbin e gjësë. Ka një mospërputhje të dukshme ndërmjet elementëve ekonomikë në trajtimin e pasurisë së një gjyqtari, burimeve nga vjen kjo pasuri, besueshmërisë ose jo të informacioneve që jepet nga institucionet e deritanishme siç është ILDKP-ja dhe në raport me to kontributi që gjyqtari ose prokurori ka dhënë. Them se po shoh dita-ditës që mungesa e eksperiencës në mënyrën si po trajtohet kjo gjë po çon në fshirjen ose mohimin total të kontributit që gjyqtarët kanë dhënë. Me të mirat dhe të këqijat e këtij vendi, gjyqtarët e vendit kanë përballuar volume, ballafaqime me eksponentë të krimit dhe për rrjedhojë nuk mund të thuash me një të rënë të lapsit meqenëse llogaritë nuk po dalin 100% mund të largoj nga detyra”, u shpreh Rakipi.

Sipas ish-kryeprokurorit në procesin e Vettingut duhet kuptuar shkaku pse gjyqtari gabon.

“Ajo që ngec në arsyetimet të paktën të deritanishme është që mungesa e besueshmërisë te kontributi që ka dhënë gjyqtari mosidentifikimi i arsyeve pse ai gabon, ka bërë që të prevalojë elementi ekonomik. Pra nëse një gjyqtar përpara fillimit të aktivitetit të tij, kur ka qenë student ka siguruar disa të ardhura kur ka qenë emigrant dhe këto të ardhura nuk mund t’i justifikojë për arsye qoftë edhe të kalimit të kohës, të pamundësisë se ka qenë në një shtet tjetër, ose ndoshta mendon se kjo kohë nuk përfshihet në aktivitetin tim si gjyqtar atëherë këtij i thuhet automatikisht që pasuria jote është e pajustifikuar. Në fakt ai ka punuar atje. Mund të japë të dhëna të përgjithshme që ka punuar, por nuk është në gjendje që të vërtetojë në mënyrë të saktë, kohën kur dhe sa ka punuar. Nëse në këtë proces nuk kuptohet shkaku pse gjyqtari gabon atëherë rezultati do të dalë i gabuar”, tha ai./abcnews.al


Lini koment

E-maili nuk do te publikohet. Duhen plotesuar *


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F




Kontakt

Telefono



TE FUNDIT