“Aquarius”/ Anija me emigrantë sjell përplasje diplomatike

19:06 | 12/06/2018

Rasti i anijes me emigrantë, “Aquarius”, është kthyer në një incident diplomatik jo vetëm mes Italisë dhe Spanjës, por në nivel europian. Duke reaguar lidhur me këtë çështje, presidenti francez Emmanuel Macron e ka cilësuar të ulët sjelljen e qeverisë italiane, që refuzoi të pranonte ankorimin e anijes në portet e saj.

Shefi i pallatit Elize ka akuzuar lidershipin italian se po bën politikë me emigrantët, ndërsa ka kujtuar se në të tilla raste, vendi me bregdetin më të afërt ka përgjegjësinë të përgjigjet. “Ka një shkallë të lartë cinizmi dhe papërgjegjshmërie në sjelljen e qeverisë italiane”, ka deklaruar Macron përmes zëdhënësit të tij.

Nga ana e saj, Roma zyrtare i ka kundërshtuar kritikat e Parisit. Zyra e kryeministrit Giuseppe Conte ka deklaruar se, Italia nuk pranon leksione hipokrite nga ato vende që në lidhje me emigracionin kanë zgjedhur të kthejnë kokën nga ana tjetër. Sipas zotit Conte, deklaratat e palës franceze në lidhje me “Aquarius” tregojnë se në Paris nuk e kanë idenë e realitetit. Ndërkohë, komisioneri europian për Emigracionin, Dimitris Avramopoulos ka deklaruar se rasti i anijes “Aquarius” nuk është përgjegjësi vetëm e Italisë, Spanjës, apo Maltës.

“Është një përgjegjësi europiane dhe kërkon një përgjigje europiane”, ka thënë Avramopoulos. Anija “Aquarius”, me rreth 630 emigrantë afrikanë në bord, u refuzua nga Italia dhe u drejtua për në Spanjë, pasi qeveria vendase dha dritën jeshile për të ankoruar. Por për të arritur në portin e Valencias duhen ende disa ditë. /abcnews.al


Lini koment

E-maili nuk do te publikohet. Duhen plotesuar *


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono