Antuan Grizman largohet nga Atletiko e Madridit

14:00 | 15/05/2019

Antuan Grizman largohet nga Atletiko e Madridit pas pesë vjetësh. Sulmuesi francez, kampion i botës, pritet të bashkohet me Barcelonën për 120 milionë euro.

Do të shkojë tek skuadra që e njeh shumë mirë.

Antuan Grizman i shënoi gola Barcelonës që nga viti 2010 kur ishte tek Real Sociedadi, ndërsa tani vendosi që këto rrjeta t’i realizojë për të.

Sulmuesi francez i Atletikos së Madridit, me shumë gjasë, do të jetë në “Kamp Nou” edicionin e ardhshëm, ndërsa do të mbyllë një epokë 5-vjeçare në kryeqytetin spanjoll.

I vlerësuar si një nga sulmuesit më të mirë të botës, kampioni i botës me Francën, pritet të forcojë një skuadër që nuk po arrin të realizojë ambiciet e saj.

Katastrofa në Champions ndaj Liverpulit, ishte sinjali i alarmit për ndryshim drastik, dhe Lionel Mesi kërkoi urgjentisht përforcime.

Presidenti Bartomeu nuk do të kursehe dhe 120 milionë euro do të paguhen për Grizmanin.

Francezi pritet të zëvendësojë Luis Suarezin, që erdhi në “Kamp Nou” pesë vjet më parë, dhe që vazhdon të shënojë gola të rëndësishëm, por që mosha pritet ta nxjerrë jashtë loje.

“Ishin pesë vite të mrekullueshëm, ju falenderoj për gjithçka dhe ju mbaj në zemrën time, – ishin fjalët e francezit në videon e tij, – pasi fola me Çolon dhe me presidentin, drejtuesit në hierarkinë e klubit, unë doja të flisja me ju, tifozët e Atletikos, që më keni dhënë kaq shumë dashuri dhe mbështetje. Dua t’iu informoj për vendimin tim se po largohem për të provuar gjëra të tjera, sfida të tjera. Nuk ishte e lehtë për mua ta merrja këtë vendim, por ishte gjëja e duhur”.

Gjithsesi, tifozët nuk e mirëkuptuan sulmuesin, duke e sulmuar në rrjetet sociale, duke theksuar se ai preferoi paratë përpara tyre.

“Nuk ka ndershmëri në futboll”, – ishte komenti i njërit prej tyre në Instagram.

Një tjetër bëri ironi duke shkruar se “Grizmani bëri vjet një dokumentar për të na thënë se do të qendronte, për t’u larguar vitin e ardhshëm”.

Zemërimi ishte i madh aq sa tifozët i kërkuan klubit që ta mbante me zor sulmuesin, dhe t’i kujtonte se kishte mbushur vetëm vitin e parë të kontratës 5-vjeçare.

Kjo, në kontrast të plotë me respektin e jashtëzakonshëm që publiku i Atletikos tregoi për legjendën e klubit, Diego Godin, që do të largohet këtë sezon për tek Interi.

I gjithë stadiumi “Uanda Metropolitano” brohoriti dhe derdhi lot për mbrojtësin uruguajan, në ceremoninë e zhvilluar në prani të skuadrës dhe të trofeve që ai ndihmoi për t’u fituar, në 9 vjet të paharrueshëm.

Trajneri Simeone duhet të mendojë mirë për të përforcuar ekipin.

Përveç Grizmanit e Goditit, largohet edhe Lukas Hernandez tek Bajerni, ndërsa të tjerë janë në dyshim.

Ttrajneri argjentinas do të ketë 183 milionë euro në dispozicion për të ardhmen, ndërsa nuk dihet nëse I mbiquajturi “El Çolo”, pra “i çmenduri” do të arrijë ta vazhdojë epokën e madhe të Atletikos./ABC News Albania 24/7


Lini koment

E-maili nuk do te publikohet. Duhen plotesuar *


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F




Kontakt

Telefono