Analistët nuk parashikojnë luftë midis SHBA dhe Iranit

20:36 | 07/01/202020:360

Analistët amerikanë nuk parashikojnë që tensionet me Iranin të shndërrohen në luftë, pas vrasjes së gjeneralit Kasem Suleimani nga një goditje ajrore amerikane. Demokratët në Kongres duan që t’ia dobësojnë presidentit kompetencat për luftë, gjë që kundërshtohet nga ligjvënësit republikanë.

Shumë amerikanë shprehën kundërshtimin e tyre ndaj një lufte me Iranin gjatë protestave në rrugë të shtunën dhe të dielën.

Ndërkohw qw amerikanët protestojnë kundër një lufte tjetër në Lindjen e Mesme, udhëheqësi suprem i Iranit u zotua për hakmarrje dhe presidenti amerikan paralajmëroi se Uashingtoni do të reagonte duke vënë në shënjestër objekte të rëndësishme në Iran.

Demokratët në Kongresin amerikan janë të shqetësuar nga shkallëzimi i situatës me Iranin dhe thonë se Dhoma e Përfaqësuesve do të votojë këtë javë për një rezolutë për të kufizuar kompetencat e Presidentit Trump për të ndërmarrë veprime ushtarake kundër Iranit pa miratimin e Kongresit, raportoi Zëri i Amerikës.

“Në kohë të tilla është thelbësore për Kongresin që të ketë një masë kontrolli ndaj presidentit dhe që të luajmë rolin tonë kushtetues për çështje të luftës dhe të paqes”, tha Chuck Schumer, udhëheqësi i demokratëve në senat.

Një nga udhëheqësit republikanë të senatit, ka akuzuar demokratët se po mbrojnë interesat e partisë dhe jo të vendit. “A nuk është e mundur të presim të paktën deri kur të dime faktet? Nuk mund të ruajmë një unitet kombëtar të paktën përkohësisht, para se t’u rikthehemi pozicioneve tona partiake?”, tha Mitch McConnell, udhëheqës i shumicës republikane në senat.

Por analistët thonë se pavarësisht nga retorika e ashpër, një luftë mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, nuk ka gjasa të ndodhë.

“Në Shtetet e Bashkuara nuk ka dëshirë për luftë, por nga ana tjetër Shtetet e Bashkuara u bindën se nëse nuk bënin gjë si reagim ndaj sulmeve të vazhdueshme ndaj diplomatëve dhe kontraktorëve amerikanë, ato veçse do të vazhdonin. Prandaj nuk ekziston një rrezik i menjëhershëm për një konflikt ushtarak“, tha Michael Rubin, nga Institutit Amerikan Enterprise.

Vendet e Gjirit Persik duan me çdo kusht të shmangin një luftë në rajonin e tyre, tha analistja Barbara Leaf.

“Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Arabia Saudite, nuk kanë qenë shumë të zëshme. Por thelbi i komenteve të tyre është që duhet të ketë një zbutje të tensioneve dhe një qasje politike për zgjidhjen e këtyre çështjeve”, tha ajo.

Ndërkohë, zyrtarët irakianë nuk duken të prirur të veprojnë pas vendimit të parlamentit të tyre për të dëbuar trupat amerikane nga Iraku, pasi Trump kërcënoi të vendoste sanksione ndaj Irakut.

“Kryeministri Adil Abdul Mahdi, nuk po e nënshkruan legjislacionin. Kurdët nuk morën pjesë. Shumë nga partitë e moderuara shiite nuk morën pjesë dhe as partitë suni. Disa u detyruan të merrnin pjesë nga blloku politik i milicisë shiite, Bina. Ata votuan në parlament. Ishin të vetmit atje”, tha Michael President i Institutit Hudson.

Mahdi tha dorëheqjen në fund të nëntorit, pas demonstratave masive anti-qeveritare të nëntorit në Irak dhe do të largohet nga detyra pasi parlamenti të votojë për pasuesin e tij.

Ndërkohë, sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, tha se Irani po punon “në mënyrë aktive” për të minuar procesin e paqes në Afganistan.

Pompeo tha në një konference për media se Irani ka raporte me talibanët dhe grupet tjera militante në Afganistan. Ai tha se raportimet se komandanti iranian, Qasem Soleimani ka qenë në mision diplomatik në Irak kur u vra nga Shtetet e Bashkuara, janë plotësisht të pavërteta.

Më 3 janar, Shtetet e Bashkuara vranw përmes sulmeve ajrore udhëheqësin e forcës Kuds të Iranit, Qasem Soleimani.

Irani ka kërcënuar se do të hakmerret ashpër. Uashingtoni e ka fajësuar Soleimanin për vrasjen e trupave amerikane në Irak dhe e ka akuzuar atë për komplot për sulme të reja pak para vrasjes së tij, javën e kaluar pranë aeroportit të Bagdadit.

Soleimani ka udhëhequr milicitë iraniane në konfliktet në Siri, Irak, Liban dhe Jemen dhe Shtetet e Bashkuara e kanë konsideruar si “terrorist”./abcnews.al

Lini koment

E-maili nuk do te publikohet. Duhen plotesuar *


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono