Alibeaj: E drejtë legjitime e deputetëve për të lënë mandatin

20:45 | 20/02/2019

Djegia e mandateve të deputetëve të opozitës, e konkretizuar tashmë me firmosjen e tyre pasditen e sotme është diskutuar në studion e Byro Politike nga deputetët opozitarë Enkelejd Alibeaj, Klajda Gjosha, Agron Duka dhe Klevis Balliu.

Enekelejd Alibeaj teksa e ka vlerësuar si një akt historik për të tashmen dhe të ardhmen e vendit, ka shpjeguar juridikisht lënien e mandatit. Sipas tij ka ligjshmëri që deputeti të vendosë për të lënë mandatin, por nuk ka ligjshmëri që Kuvendi të jetë i gjymtuar pa pjesën tjetër të deputetëve siç e thotë Kushtetuta.

“Është një akt historik për momentin, për të shkuarën dhe për të ardhmen. Kodi zgjedhor përcakton që nga momenti që një deputet, shumë deputetë vendosin të lënë mandatin me vullnetin e tyre të lirë, vijnë ata zëvendësues brenda listës së partisë ose koalicionit. Nuk ka koalicion vetëm një listë të përbërë dhe sot është proceduar me dorëheqjen e të gjithë atyre që kishin devizën e deputetit. Kanë firmosur edhe ata në lsitë në pritje, pasi jo vetëm ligji edhe precedentët se edhe ata që e kanë  fituar të drejtën e mandatit kanë te drejtën të shprehin vullnetin e tyre”.

Alibeaj theksoi se firmosja për lënien e mandateve u bë në mënyrë transparente pasi sipas tij është koncepti i besimit të publikut ndaj të zgjedhurve të vet dhe lënia duhet të jetë një akt në dritën e diellit.

“S’ka mënyrë të fshehtë. Ajo që mban fort autoritetin e parlamentit është marrëdhënia me qytetarët që i përgjigjesh çdo ditë është koncepti i besimit të publikut ndaj të zgjedhurve të vet dhe lënia duhet të jetë një akt në dritën e diellit. Ligji dhe logjika kushtetuese është që populli na ka dhënë mandate dhe është e drejta jonë t’i nënshtrohemi vullnetit të popullit”.

I pyetur a ka kushtetueshmëri një parlament pa opozitën, Alibeaj tha se ai është një parlament i gjymtuar, ndërsa pyetjes se nëse rama mund të plotësoje vendet, ai tha se kushtetueshmërisht dhe politikish nuk është e mundur.

“Jo nuk ka. Ka ligjshëmri e drejta e deputetit për të lënë mandatin e vet. Kushtetuta thotë që parlamenti përbëhet nga 140 deputetë absolutisht është i gjymtuar”.

A ka mundësi që Rama të plotësojë vendet?

Alibeaj: Kushtetueshmërisht jo, politikisht jo. Vetëm i çmendur.

Nga ana e saj deputetja e LSI-së Klajda Gjosha e vlerësoi lënien e mandateve si një nga aktet më madhështore që ka bërë opozita në këtë vend në emër të largimit të krimit nga politika.

“Të gjithë deputetë përveç Lefter Kokës të gjithë e votuam këtë nisëm. Një nga aktet më madhështore që ka bërë opozita në këtë vend në emër të largimit të krimit nga politika dhe besoj që akt më të madh se ky, opozita nuk mund të ndërmerrte”.

Ajo e konsideron këtë akt të duhurin në një kohë kur opozitës i ishin mbyllur të gjitha rrugët ligjore, si komisionet parlamentare, interpelanca dhe gjykata kushtetuese.

“Të gjithë komisionet ndërpriten kur opozita do të diskutojë.

Interpelancat. 3 herë është thirrur ministrja e Finacave dhe 3 herë ka dërguar që nuk do të jetë. Edhe ky mjet më hiqet se ministrat nuk i përgjigjen parlamentit të Shqipërisë.

Dhe akti i fundit cili është? Nëse mendoj që një ligj më duket antikushtetues duhet t’i drejtohem Gjykatës Kushtetuese dhe kjo më është hequr. Unë kur shkoj para qytetarëve me thonë që bëj diçka”.

Kreu i Partisë Agrare ambjentaliste Agron Duka edhe pse shpreh rezervat e tij për lënien e mandatit thekson se kjo justifikohet pas përgjimeve të Zërit të Amerikës.

“Kam demaskuar mënyrën si u bënë zgjedhjet, lidhjen e mazhorancës me të fortët. Dhe lidhja u përforcua pasi dolën përgjimet e Zërit të Amerikës.

Unë s’kam qenë për lënie mandatesh, as për bojkot dhe në takime me aleatët i kam thënë që nuk është kjo rruga, duhet rrugë institucionale nuk duhet të tërhiqesh nga parlamenti, por justifikohet më këtë të përgjimeve të fundit. Qe një lëvizje e detyruar edhe për arsye të mbledhjes së pushtetit në një dorë”.

Ndërsa deputeti demokrat Balliu shprehet se ky vendim nuk erdhi nga deputetët, por i diktuar nga revolta qytetare.

“Është hera e parë që aktiviteti politik i partive opozitare dhe reagimi qytetar bëhen njësh dhe nxjerrin një propozim, djegien e mandateve dhe kjo e bën historik vendimin se ky nuk erdhi si propozim i deputetëve, por i diktuar nga revolta qytetare. Ajo revoltë faktoi akuzat për mazhorancën”.

/abcnews.al

 

 


Lini koment

E-maili nuk do te publikohet. Duhen plotesuar *


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F




Kontakt

Telefono