Akuzat për Tahirin, Hoxha: Të vështira për t’u provuar

18:46 | 28/02/2019

Tre akuzat e Prokurorisë për ish-ministrin e brendshëm Sajmir Tahiri, janë të vështira për t’u provuar, por nëse provohen do ishte dosja e shekullit. Këtë deklaroi në studion e ABC News gazetari Artan Hoxha, sa u takon akuzave për trafik droge, krijim të grupit të strukturuar kriminal, dhe kryerja e veprës penale në kuadër të grupit kriminal, ndaj Tahirit. Në këndvështrimin e tij, Hoxha thekson se prokuroria nuk i ka provat e drejtëpërdrejta që të çojnë te Tahiri, ndaj do bënte mirë që të shtonte edhe një akuzë më të lehtë për të njollosur ish ministrin.

“Janë akuza të rënda që nëse prokuroria do t’i provojë do ta quaja të njëjtit nivel atë do ta quaja dosja e shekullit si e çështjes Hajdari.

Ka një miksim personazhesh, është  e ngjashme si dosja 339, ku do gjesh brenda njerëz, grupe, funksionarë. Unë nëse do isha prokuror do shtoja dhe një akuzë të lehtë, kurse prokuroria nuk e ka ndjekur fare këtë taktikë. Tahiri akuzohet njëlloj si Habiljat, trafik droge, grup i strukturuar kriminal. Nuk ka një akzuë që do mjaftonte për të njollosur rastin Tahiri. I ka hedhur zaret, o të gjitha o asgjë. Tahiri deri në vendimin e Gjykatës prezumohet i pafajshëm. Me këto prova e vështirë të provohen këto akuza. Provat e drejtpërdrejta që të çojnë te Tahiri, prokuroria nuk i ka”.

Sipas gazetarit Hoxha prokuroria shqiptare ndryshe nga ajo italiane, e ka nisur mbrapsht hetimin, pasi sipas tij hetimi duhet fillimisht të niste në Shqipëri, ndërkohë që ka ndodhur e kundërta. Provat janë letërporosi e ardhur nga vendet fqinje dhe jo të grumbulluara këtu, që mund ta vinin me shpatulla pas murit. Hoxha shpjegon se kjo e ndihmon Tahirin, ndërsa hetimi do të jetë i mangët.

“Ka qenë një çështje e politizuar që nga momenti i parë, kemi dosjen Habilaj e cila ka filluar nga prokuroria italiane e Antimafias dhe Italia ka luftuar më shumë se çdo vend kundër mafias. I ka nisur hetimet që në 2013 kur Tahiri nuk ishte ende ministër pra 4 vjet, duke kapur kanabis dhe përgjime pafund brenda e jashtë Shqipërisë. Ata kryhen veprimet pasi grumbulluan provat.

Ne bëmë të kundërtën, vendosëm piketat kush është i pandehuri dhe pastaj rrugës do gjenim provat. Nderi më i madh që iu bë Tahirit është hetimi në sajë të akuzave politike nuk çon në hetim të vërtetë të asaj që ndodh në Shqipëri, do jetë një hetim i mangët që  do i kthehet në  favor Tahirit që në një hetim të vërtetë do ishte vënë me shpatulla pas murit. Një hetim i tillë e ndihmon Tahirin. I njëjti përson nuk mund të hetohet për herë të dytë për të njëjtën  çështje.

Mënyra si nisi hetimet prokuroria i nisi nga koka jo nga bishti, hetimet duhet të nisnin nga poshtë –lart. Këto prova nuk janë marrë nga Prokuroria, që në momentin e parë. Kam thënë që duke nisur nga poshtë nuk do ndalej te Tahiri po do shkonte më lart te Kryeministri. Dhe sot ndodhemi para faktit që Prokuroria ka paraqitur akuzë zyrtare, Tahiri nga sot është i pandehur, provat janë letërporosi të ardhura nga vendet fqinje.

Tahiri nuk i është shmagur hetimit, shumica e provave kanë ardhur nga jashtë. Për mua duhet të ishte e kundërta, provat duhet të ishin në Shqipëri”.

Sipas Hoxhës deri më tani është bërë publike çfarë ka dashur prokuroria të bëhet publike.

“Është bërë pubike çka dashur prokuroria dhe politika të bëhet publike, nuk ka nisur si çështje hetimore e mirëfilltë. Ka nisur për shkak të një publikimi të një përgjimi të Prokurorisë së Katanias dhe nga aty prokuroria nisi hetimin e dosjes së famshme. Hetimet kanë nisur pas publikimti të fletë-përgjimeve nga Prokuroria e Katanias”. /abcnews.al



Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F




Kontakt

Telefono