Aktivistët serbë komentojnë dënimin e Karaxhiç

22:32 | 20/03/2019

Aktivistët serbë për të drejtat e njeriut e konsiderojnë të merituar dhe lehtësim për familjarët e viktimave dënimin me burgim të përjetshëm të Radovan Karaxhiç. Por ata nënvizojnë se ky dënim duhet t’i shërbejë si leksion politikës serbe që vazhdon të ushqehet nga nacionalizmi.

Radovan Karaxhiç, dikur ka vendosur për jetët e mijëra njerëzve, tani do të jetë i burgosur i përjetshëm. Gjykata e Hagës ka shpallur fajtor ish-presidentin e serbëve të Bosnjës dhe autorin e masakrës së Srebrenicës në një verdikt të pakthyeshëm.

Këtu nuk është përmendur fajësia e shtetit serb, por ata që kanë luftuar për zbardhjen e krimeve në Beograd, e kanë ndjekur me vëmendje gjykimin. Gruaja që ka grumbulluar çdo faktet në grimca, Natasha Kandiç, thotë se është lehtësuese dhe dënimi i merituar.

Natasha Kandiç, Fondi për të Drejtën Humanitare: “Këto vendime do të duhet të ndikojnë tek politikanët e sotëm që ta kuptojnë se sjelljet si të Karaxhiç dhe Mlladiç nuk janë të kushtueshme vetëm për viktimat, por që të mos përsëritet një gjë e tillë dhe të harrohet nacionalizmi”.

Radovan Karaxhiç kishte kryer shtetërrethimin e Sarajevës dhe është konsideruar fajtor për Srebrenicën, ku u ekzekutuan mbi tetë mijë viktima myslimane. I kishte ikur drejtësisë për gati çerek shekulli pavarësisht se për lirinë e tij ishin ofruar miliona euro shpërblim. Në kërkim të tij pak gjurmë kishin ngelur.

Dr. Dragan Dabiç, ishte i respektuar tek besimtarët e mjekësisë alternative. Nën mjekrën e bardhë të mjekut të dashur, fshihej autori i terrorit, i cili u arrestua në një autobus.

Karaxhiç, përmes avokatit të tij serb, ka thënë se ky vendim nuk ka lidhje me drejtësi. Nga republika serbe e Bosnjes reagimet kanë qenë se nuk i besojnë këtij gjyqi. Por, kështu nuk mendojnë nënat e Srebrenicës, të cilat ndjehen të lumtura për një copë drejtësi mbi dhimbjet e tyre. Në Serbi, Kandiç, thotë se ka ngelur edhe shumë punë për tu bërë për mos mohimin e gjenocidit në Bosnje. Por, verdikti është i rëndësishëm si dëshmi për të ardhmen.

Natasha Kandiç, Fondi për të Drejtën Humanitare: “Kjo natyrisht do të jetë pjesë e historisë. Ky njeri është i ndarë nga realiteti pasi kur sheh veprat e tij mendohesh se si ka mundësi që ky njeri ka shëruar njerëz dhe ka qenë psikiatër. Një person i rëndë dhe që ka menduar se kjo kurrë nuk do ti ndodhë. Kjo është drejtësia e pritur”.

Karaxhiç, ishte dënuar me 40 vjet në shkallën e parë, kurse tani në bazë të rregullave të Gjykatës së Hagës do të ketë vetëm mundësi të zgjedh shtetin se ku do të vuaj dënimin e përjetshëm, por kjo nuk do të jetë vendlindja./abcnews.al


Lini koment

E-maili nuk do te publikohet. Duhen plotesuar *


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F




Kontakt

Telefono