Ahmetaj: Qeveria nuk ndërhyn në kursin e këmbimit

15:22 | 16/05/2018

Forcimi i lekut dhe zhvlerësimi i euros muajt e fundit, sipas ministrit të Financave, Arben Ahmetaj, ka ardhur për shkak të forcimit të ekonomisë. Në  një konferencë për shtyp, Ahmetaj gjithashtu  paralajmëroi ndryshime fiskale.

Biznesve që i shprehën shqetesimin se me zhvlerësimin e monedhës europiane po dëmtohet konkureshmëria e mallrave shqiptare e po i ulen fitimet, ministri i Financave  i dha këtë përgjigje.

Arben Ahmetaj: “Qeveria nuk bën ndërhyrje në kursin e këmbimit dhe do të ishte e gabuar të bëheshin ndërhyrje. Për eksportuesit e fasonëve, luhatja e kostove nga kursi është e kufizuar nga 2 në 3%, për shkak se ata kanë një vlerë të shtuar të ulët, prej maksimumi 20%. Eksportuesit të shohin më shumë nga produktiviteti dhe jo nga kostot”.

Monedha europiane javën e shkuar njohu nivelin më të ulët të dhjetë viteve të fundit duke arritur në 126. 8 lekë. Pas këtij zhvleresimi, opozita thotë se qëndrojnë paratë e kanabisit që qarkullojnë në ekonomine vendase, por për ministrin e Financave, arsyet janë të tjera.

Arben Ahmetaj: “Ai reflekton faktorët fondametalë, si përmirësimi i bilancit të pagesave, akomodimi i politikave dhe investimet e larta të huaja.  Në gjithë rajonin, si Serbi, Kroaci, monedha vendase po forcohet për shkak të përmirësimit të ekonomisë së rajonit dhe Shqipëria nuk bën përjashtim. kursi i këmbimit është ndër më të qëndrueshëm në rajon”.

Ndërkohë, ministri i Financave lajmëroi se rritja e xhiros vjetore të bizneseve nga 8 milionë lekë në 14 milionë lekë si prag për të përcaktuar ndryshimin e tatim fitimit, 15% dhe 5% hyn në fuqi janarin e vitit që vjen.

Arben Ahmetaj: “Prek 10,850 biznese, që janë gjysma e bizneseve që paguajnë tatim fitim në nivelin e 15%”.

Ndryshime do të ndërmerren edhe në ligjin për koncesionet. Në thelb, sipas ministrit të Financave, do të jetë heqja e propozimeve të pakërkuara nga biznesi.

Ndërkohë Ahmetaj bëri dhe një panoramë të ekonomisë në vend, për të cilën tha se arriti rritjen më të madhe në 10 vjet, me 3.84%, ritëm me të cilin pritet të vazhdojë. Ministri i Financave arsyetoi se kjo është pasoje e investimeve të brendshme, të huaja dhe përmirësimi i klimës së biznesit në vend. Ndërsa papunësia është më e ulëta në rajon./abcnews.al


Lini koment

E-maili nuk do te publikohet. Duhen plotesuar *


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono