Agim Kajmaku/ Nis verifikimi për pasuritë e ish-kryebashkiakut

schedule16:17 - 20 Nëntor, 2019

schedule 16:17 - 20 Nëntor, 2019

Agim Kajmaku ish-kryetari i bashkisë së Vorës, i cili prej 10 ditësh i fshihet drejtësisë, pasi u arratis vetëm pak para së prangosej, duhet të justifikojë pasurinë.

Sektori i krimit ekonomik në Policinë e Shtetit ka nisur verifikimin për pastrim parash ndaj Kajmakut dhe familjarëve të tij. Uniformat blu u kanë dërguar shkresë duke kërkuar informacion bankave të nivelit të dytë për llogaritë e tij bankare.

Të njëjtat kërkesa pretendohet se i është dërguar drejtorisë së hipotekës për të verifikuar pasuritë e paluajtshme dhe të ardhurat e biznesit të ish-kreut të bashkisë së Vorës i zgjedhur më 30 qershor në siglën e partisë Socialiste.

Ndërkohë prokuroria e Tiranës i ka nisur një shkresë Dhomës Kombëtare të Noterisë për Agim Kajamku. Organi i akuzës kërkon që nga data 14 nëntor 2019, çdo noter pranë të cilit paraqitet Kajmaku për të nënshkruar prokurë për avokatin do të mbaj përgjegjësi penale nëse nuk njofton menjëherë policinë.

Shkresa e dërguar nga Prokuroria e Tiranës u është shpërndarë të gjithë zyrtarëve të noterive në vend.

Deri tani kanë dështuar mbi 13 aksione policore për arrestimin e ish-kryebashkiakut socialist të Vorës. Dyshohet se operacioni për prangosjen Agim Kajmakut u dekonspirua nga punonjës të policisë së shtetit.

Për këtë arsye, 7 prej tyre janë vënë në verifikim nga Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesave në Ministrinë e Brendshme.  Prej disa ditësh Prokuroria dhe Policia po negociojnë me familjarët dhe avokatin për vetë dorëzimin e Kajmakut.

Gjykata ka caktuar ndaj tij masën e sigurisë “arrest me burg” në mungesë, ndërsa akuzohet nga prokuroria për tre vepra penale./abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!