A është e mundur hapja e materialeve zgjedhore?

21:17 | 10/07/201921:170

Mbrëmjen e sotme me Mirela Milorin në studion e ABC News, ka qenë i ftuar në një intervistë ish-kreu i KQZ Ilirjan Celibashi. Celibashi ndau opinionin e tij në lidhje me situatën aktuale politike. Sipas Celibashit, KQZ ka qenë konform ligjit në vendimet e saj, në lidhje me dekretin e presidentit Meta, për anullimin e zgjedhjeve në 30 qershor. Gjithashtu Celibashi theksoi se KQZ, nuk mund të rrijë pas derës së presidentit, duke pritur aktin e radhës në lidhje me procesin zgjedhor. Por Celibashi mendon se presidenti mund edhe të kishte luajtur politikisht me një zgjidhje tjetër përtej asaj të anulimit të zgjedhjeve.

Mirela Milori: A është e mundur hapja e materialeve zgjedhore? A është ligjërisht e mundur dhe në çfarë pozicioni është KQZ?

Ilirjan Celibashi: Kërkesa e bindjes demokratike ndryshon nga ajo e partisë demokratike, ndryshojnë pozitat e tyre nga pikëpamja juridike. PD duke qenë se nuk është subjekt zgjedhor i ka të kufizuara kërkesat e saj. Ndërkohë që Bindja Demokratike është subjekt zgjedhor dhe si i tillë ka të drejta më të pakufizuara kundrejt KQZ për çështje të ndryshme të procesit zgjedhor. Kërkesa që ka bërë PD në lidhje me dokumentacionin zgjedhor të kërkuar mendoj se është një kërkesë e cila ka bazueshmëri ligjore. Me sa kam vërejtur PD ka kërkuar atë pjesë të dokumentacionit zgjedhor që disponohet nga Komisionet e nivelit të qendrës së votimit, të KZAZ-së dhe të KQZ. Këtë dokumentacion këto komisione e disponojnë dhe kanë detyrimin që ta vënë në dispozicion të çdo partie politike që e kërkon. Me sa kam parë bëhet fjalë për kopje të tabelave të rezultatit, kopje të procesverbalit të votimit, akte që kanë të bëjnë me mbylljen e kutive të votimit, procesverbalet e tyre.

Kurse kërkesa e Bindjes Demokratike në lidhje me hapjen e gjithë kutive, të materialeve dhe dokumentacionit zgjedhor nuk e di se sa bazë kjo kërkesë ka por ne këtë nuk e dimë. KQZ është ajo që do ta shqyrtojë. Nga informacionet që kemi nuk mund të themi nëse kërkesa është apo jo e bazuar, ajo çfarë ka rëndësi të thuhet është që çdo kërkesë duhet që minimalisht të mbështetet në një lloj indicie. Kush mund të ishte një lloj indicie në këtë rast? Procesi i numërimit regjistrohet dhe filmohet, marrja e një kopje e konsultimi me përmbajtjen e DVD, mund të japë disa të dhëna që  mund të legjitimojnë kërkesën për të kërkuar hapjen e kutive të votimit dhe të materialeve zgjedhore. Pra duhet një pretekst për këtë. Dokumentacionin e kërkuar që institucioni disponon duhet ta vërë në dispozicion të partive politike. Kërkesa e PD mund të plotësohet nga KQZ për sa i përket dokumentacionit.

Nuk mund të themi nëse kërkesa është apo jo e bazuar. Kërkesa duhet të jetë e bazuar në një indicie, pra duhet një pretekst për të bërë kërkesën.

Mirela Milori: Duke qenë se keni qenë ish kryetar i KQZ, sa komode e ka KQZ të punojë në këtë situatë, në këto zgjedhje të 30 qershorit të cilat janë shumë atipike?

Ilirjan Celibashi: Është punë voluminoze, e vështirë dhe shto këtu sfondin politik padyshim që e komprometon veprimtarinë e KQZ dhe secili është i prirur ta shohë këtë veprimtari sipas interesit të vet. Në këtë situatë të një konfliktualiteti politik gjithkush përpiqet të kapet edhe pas një gjëje që nuk është thelbësore thjesht për të ndërtuar alibinë e vet.

Mirela Milori: KQZ hyri në skenë që kur zoti Meta nxori një mandat për anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit KQZ nuk e pranoi e hodhi poshtë këtë dekret, shkoi në kolegjin zgjedhor edhe atje u rrëzua, si ka qenë qëndrimi i KQZ në lidhje me këtë moment të presidentit Meta?

Ilirjan Celibashi: KQZ në fakt nuk është se shqyrtoi direkt vlefshmërinë ligjore apo kushtetutshmërinë e dekretit të presidentit. KQZ e konsideroi aktin e presidentit, si një akt absolutisht të pavlefshëm, dhe tha se do vazhdonte procesin përgatitor zgjedhor. Vendimet që KQZ mori pasi Presidenti nxori dekretin për anulimin e datës së zgjedhjeve, u bënë objekt i shqyrtimit nga Kolegji Zgjedhor. Kolegji Zgjedhor e konsideroi vendimin e KQZ të ligjshëm, gjë që do të thotë se dekreti i presidentit ka qenë i paligjshëm. Nuk është se KQZ u shpreh mbi ligjshmërinë e dekretit direkt por vazhdoi me procesin e vendimmarrjes duke injoruar dekretin./abcnews.al

 

Lini koment

E-maili nuk do te publikohet. Duhen plotesuar *


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F




Kontakt

Telefono