5 vjet nga “beteja” Serbi-Shqipëri

09:08 | 14/10/201909:080

14 Tetor 2019. Sot u bënë 5 vjet nga ndeshja Serbi-Shqipëri, e cila u pezullua për shkak të hedhjes së flakadanëve dhe objekteve të tjera nga tifozët ndaj lojtarëve të kombëtares. Ndeshja ishte e vlefshme për eliminatoret për Kampionatin Evropian 2016, ku ne do të arrinim historinë dhe do të kualifikoheshim për herë të parë.

Të gjitha ndodhën më 14 Tetor 2014! Raste shënimi nga kombëtarja jonë, një dron me simbole patriotike shqiptare dhe në fund mësymja dhe dhuna ndaj lojtarëve të kombëtares, çka do të çonte në anulimin e ndeshjes.

Zyrtari i Federatës Shqiptare të Futbollit, Dritan Kokona, i ftuar në “ABC-në e mëngjesit” me gazetarin Enkel Demi ka kujtuar edhe njëherë se çfarë ndodhi atë ditë.

“Ballafaqimi filloi që në aeroport deri ku qëndronim ne. Deri këtu e quanim normale, sa i takon kushteve të sigurisë. Ditën e ndeshjes ishte një situatë tjetër. Kishte grupime tifozësh të organizuar për këtë punë. Unë isha në një ekstrem ku nuk kishte shumë lidhje me tribunën, por nuk u dëgjua himni. Ata nuk po kuptonin si mund të luanim kaq mirë futboll, që nga momenti i Canës me kokë dhe pastaj godasin Ansin me flakadanë. Këtu filloi gjithçka. Kemi ndenjur për gati 3-4 orë në stadium dhe pastaj jemi shoqëruar për në stadium. Kur zbritëm në Tiranë edhe në avion dëgjoheshin thirrjet e tifozëve. Një nga gjërat që do të mbaj mend është një konferencë e shtypit e organizuar në orën 4 të mëngjesit. Ishte e paimagjinueshme. Nuk e kam kuptuar se çfarë po ndodh”, tha Kokona, i cili shtoi se më pas u morën masat që kjo çështje të fitohej ligjërisht.

Ndërkohë në një lidhje të drejtpërdrejtë nga Italia ishte ish-trajneri i kombëtares shqiptare, Gianni De Biasi, i cili udhëhoqi vendin drejt atij kualifikimi historik për në Francë 2016.

“Mendoj që ka qenë një fazë shumë e rëndësishme në historinë e Shqipërisë dhe mund të themi që kemi hapur një kufi të ri dhe shpresojmë që të rihapet edhe në vitet në vazhdim. Është e vëshiterë sepse në jetë gjërat nuk përsëriten kaq thjesht”, tha ish-trajneri i kombëtares shqiptare, Gianni De Biasi.

Në stadiumin e Partizanit të Beogradit, himni i Shqipërisë u vërshëllye rëndë, dhe thirrjet antishqiptare ushtuan me të madhe, bashkë me ofendimet. Në 41 minuta, arbitri anglez Martin Atkinson u detyrua ta ndërpriste ndeshjen dy herë, për hedhje të tymueseve, çakmakëve apo monedhave në fushë.

Në të 41-ët u shfaq mbi stadium droni me një banderolë me fushë te zezë, me një hartë të Shqipërisë së madhe me ngjyrë të kuqe, dhe me dy personalitetet e Pavarësisë, Ismail Qemalin dhe Isa Boletinin.

Futbollistët serbë kapën të parët banderolën, dhe pas kësaj lojtarët shqiptarë reaguan. Pasi Balaj mori në dorë flamurin, tifozë serbë dhe deri forca të sigurisë sulmuan ekipin kuqezi, duke sjellë një sherr masiv.

Të rrezikuar për jetën, lojtarët shqiptarë u larguan me vrap drejt dhomave të zhveshjes, bashkë me gjithë delegacionin. Në të njëjtën kohë, tifozë ultras serbë u përleshën me policinë dhe u përpoqën të hynin në fushë.

Në ambientet e brendshme të stadiumit, kombëtarja iu nënshtrua kontrollit të policisë, dhe me shumë vështirësi mundi të largohej drejt aeroportit për t’u kthyer urgjent në Shqipëri. Mbërritja në Rinas ishte triumfale, me mijëra tifozë që prisnin ekipin përfaqësues, duke i shprehur mbështetjen e tyre të plotë.

Jehona ishte e jashtëzakonshme, pasuan procese gjyqësore sportive, dhe përfundimisht ndeshja iu dha Shqipërisë në tavolinë me rezultatin 3-0, ndërsa një vit më vonë kombëtarja arriti kualifikimin për në Euro 2016./abcnews.al

Lini koment

E-maili nuk do te publikohet. Duhen plotesuar *


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F




Kontakt

Telefono