21 janari, ish-gardisti: Refuzova ti bindem Bashës e Berishës, dhanë urdhër të qëllohej mbi protestuesit

18:14 | 21/01/202018:140

Kryebashkiaku dhe ish-gardisti Agron Malaj, përmes një statusi në rrjetet sociale thotë se ka refuzuar urdhrin për të hapur zjarr mbi protestuesit në janarin e vitit 2011.

Ish-gardistin ishte në krye të detyrës më 21 janar 2011 ku gjatë protestës së opozitës së asaj kohe, Partisë Socialiste, mbetën të vrarë nga Garda 4 qytetarë të pafajshëm në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

Në reagimin e tij, Malaj thotë se përgjegjës direkt për atë fatkeqësi është ish-kryeministri Sali Berisha dhe ish-Ministri i Brendshëm i asaj kohe Lulzim Basha që “dhanë urdhër për të qëlluar duke shkelur çdo ligj e çdo normë“, thotë ai.

Statusi i Agron Malajt:

“21 janari është një tragjedi me të cilën mua më është dashur të jetoj çdo ditë gjatë 9 viteve të fundit. Unë nuk humba në atë tragjedi asnjë pjesëtar të familjes time. Por ka megjithatë diçka që më bashkon mua, ish “gardistin e 21 Janarit” me familjet e 4 qytetarëve të pafajshëm që humbën jetën në atë ditë të tmerrshme.

Na bashkon dëshira që ajo ngjarje të zbardhet e drejtësia të shkojë në vend.
Prej 9 vitesh tashmë emri im është lidhur me atë ngjarje tragjike. Emri i një njeriu, i një ish gardisti në krye të detyrës, që refuzoi të zbatojë urdhrin për të hapur zjarr mbi protestuesit e pafajshëm, është lidhur në mënyrën më perverse me vrasjen e Ziverit, Aleksit, Faikut dhe Hekuranit, jo nga familjet, jo nga organet e ligjit, por pikërisht nga ata që dhanë urdhër për të qëlluar e më pas shkelën çdo ligj e çdo normë, për të mos lejuar zbardhjen e të vërtetës.

Unë sot, vijoj punën time me kokën lart. Me ndërgjegjen e pastër. Mbi mua nuk rëndon asnjë akuzë. As për 21 janarin e as për asgjë tjetër. Kush ka ende dyshime për këtë mund të hapë vendimin e KQZ, bazuar në vendimin e Prokurorisë, ku çertifikohet pastërtia e figurës time dhe më njihet e drejta për të marrë pjesë në zgjedhje.

A mund ta thonë të njëjtën gjë ata që sot drejtojnë sulmin kundër meje?

A nuk do duhej që të paktën sot, në 21 janar, së paku të mbyllnin gojën e të ulnin kokën nga turpi për jetët e pafajshme që kanë marrë në Bulevardin Dëshmorët e Kombit, nën urdhërat e ish kryeministrit dhe të atij që asokohe ishte Ministër i Brendshëm dhe që në çdo vend normal do ishin dënuar jo një, por disa herë, për krime që shkojnë nga vjedhja e korrupsioni e deri tek pastrimi i parave e financimi nga Rusia dhe vrasja?

Por mbi mua rëndon nevoja që kjo ngjarje të zbardhet e fajtorët të shkojnë atje ku meritojnë të shkojnë ata që duke shkelur ligjin kanë marrë jetë njerëzish.

Prandaj, sot dua së pari, t’ju shpreh familjarëve ngushëllimet e mia.

E së dyti, t’ju them atyre që as unë nuk do të rresht së kërkuari që ajo tragjedi e ai krim shtetëror të zbardhet duke nxjerrë përpara përgjegjësisë autorët e tij të vërtetë, sado lart qofshin ata në jetën politike të vendit”, shkruan Malaj./abcnews.al

 


Për t’u bërë pjesë e grupit klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI ABC NEWS ALBANIA: https://www.facebook.com/groups/AbcNewsAlbaniaGroup

Të lidhura

Lini koment

E-maili nuk do te publikohet. Duhen plotesuar *


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono