“2 Gisht Mjaltë”, Nano: Raportimi mbi komedinë, detyrim për gazetarët

20:45 | 09/04/2019

Moderatori i emisionit “Provokacija”, Mustafa Nano, në monologun e kësaj puntate foli për filmin më “2 Gisht Mjaltë”. Ai kishte shkuar për të parë komedinë në kinema pasi disa të njohur i kishin treguar radhët e njerëzve për të marrë bileta. Edhe pse iu duk e pabesueshme gjithçka iu vërtetua mbrëmjen e kaluar.

Nano tha se radhë të tilla kishte parë vetëm kur njerëzit qëndronin nëpër ambasada për të marrë një vizë. Mirëpo e çuditshme për Nanon është se pse ky event nuk është raportuar në edicionet e lajmeve dhe gazeta. Ai shtoi se nuk është bërë asnjë program televiziv ku të flitet për suksesin e kësaj komedie në historinë e kinemasë shqiptare.

Për moderatorin e “Provokacijas”, raportimi i “2 Gisht Mjaltë” ka qenë detyrim për të gjithë gazetarët, sepse është detyrë të raportohet një sukses.

“Dje, nga ora nëntë deri më njëmbëdhjetë të natës, shkova te TEG-u. Jo për të bërë shopping. Shkova për të parë një komedi të Ermal Mamaqit. Disa të njohur të mi që e kishin parë më kishin dërguar foto e video, ku dukeshin njerëz që mbanin radhën për të marrë një biletë. Mu duk e pabesueshme ajo që shihja në ato imazhe. Mirëpo ishte e vërtetë. Mbrëmë pashë me sytë e mi radhë të gjata njerëzish, kryesisht të rinj, por edhe familje të tëra.

Nuk kisha parë ndonjëherë në Shqipëri radhë të tilla njerëzish, që prej kohës së radhëve kilometrike nëpër ambasada për të marrë një vizë. Më thanë se vetëm në sallat e kinemave te TEG-u jepeshin 36 shfaqje në ditë. Dhe mos t’ju duket se është një lapsus i imi. Është tamam kështu: 36 shfaqje në ditë. Më thanë gjithashtu që deri më sot janë shitur 100 mijë bileta. Një sukses i jashtëzakonshëm. Dhe unë çuditem se si në edicionet televizive të lajmeve, apo edhe nëpër gazeta nuk është thënë asgjë mbi këtë event. Nuk është bërë asnjë program televiziv, ku të flitet mbi këtë sukses që nuk ka të dytë në historinë e kinemasë e të komedisë shqiptare.

Dhe prandaj, raportimi mbi këtë komedi ka qenë një detyrim për të gjithë gazetarët, pavarësisht se ç’kanë menduar lidhur me vlerat artistike apo me mesazhet e komedisë. Edhe sikur gazetarët e kulturës, apo edhe të tjerët, të kenë mendimin më të keq për këtë komedi, ata do duhej ta raportonin prapëseprapë. Ata kanë detyrën për të raportuar një sukses, për të raportuar atë që njerëzit pëlqejnë. Unë mendoj se nuk ka mënyrë më të mirë për ta përkufizuar një masë të madhe njerëzish sesa mbi bazën e asaj që ata pëlqejnë. Dhe kjo ka përbërë një arsye për të bërë një raportim, për të dhënë një lajm. Mund ta raportonin në mënyrë kritike, nëse donin, por duhet ta raportonin ama. Ashtu siç duhet të raportojnë edhe aftësinë e artistit, të Ermalit në këtë rast, për të hyrë në rezonancë me këtë masë të madhe njerëzish. Për ata që kanë shije të rafinuara, ky interes popullor mund të jetë një arsye për t’i dhënë munxët artistit, apo shfaqjes, apo komedisë, apo filmit, por kjo nuk ka lidhje me lajmin që është lajm. Sepse nëse nuk është lajm fakti që 100 mijë shqiptarë kanë ndjekur një shfaqje të caktuar, atëherë pse dreqin është lajm që tre mijë vetë mblidhen për një protestë, apo në një kongres partie, apo në një ndeshje futbolli?”, tha Nano. /abcnews.al



Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F




Kontakt

Telefono